Tiranë – Tre persona jën vënë në prangat e policisë për shkak se akuzohen për vjedhje të kasafortave në biznese të ndryshme

Të arrestuarit janë E. M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).

Ata janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Poliklinika”,  vetëm pak orë pasi kishin kryer një vjedhje kasaforte në një klinikë mjekësore.

Sipas policisë  i njëjti grup kreu një vjedhje në orët e para të mëngjesit të 24-shkurtit, ndërsa sot rreth orës 04:05 të mëngjesit, në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, në ambientet e Poliklinikës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur një kasafortën në të cilin ndodhej vlera monetare rreth 130 mijë lekë të vjetra.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë:

-Një automjet Mercedes Benz, me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet, 1 DVR, një shumë parash, 1 kasafortë dhe 4 telefona celular.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së një klinike mjekësore në Rrugën e Dibrës, ngjarje e datës 20.01.2020, ku gjatë orëve të para të mëngjesit kanë vjedhur një shumë prej 413 000 lekësh dhe kanë tentuar të vjedhin edhe kasafortën e kësaj klinike.

Gjithashtu, këta persona dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh të kasafortave në biznese, në qytetin e Tiranës dhe në qarqe të tjera.

Ndërkohë vijon puna, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në qarqe, për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal.

Top Channel