Më shumë masa në port/ Kontrolle të shtuara pas deklaratave të pasagjerëve se nuk iu matej temperatura

25/02/2020 15:32

Autoritetet shëndetësore kanë përforcuar masat e sigurisë në portin më të madh të vendit, për të parandaluar futjen dhe përhapjen e sëmundjes virale të koronavirusit të ri përmes pikës kufitare të Durrësit.

Mëngjesin e sotëm me dy tragetet e linjës së Barit hynë në Shqipëri 452 persona, mes të cilëve dhe shtetas italianë të cilët iu nënshtruan matjes së temperaturës dhe plotësimit të skedave individuale. Kontrollet e shtuara në kufi kanë krijuar një atmosferë të pazakontë dhe ky shtetas italian jo pa humor sjell në vëmendje se dikur ishin shqiptarët që futeshin në karantinë në vendin e tij, sot kahja  është në të kundërt.

“Vij nga Pulja dhe nuk ka asnjë problem. Ne italianët kemi bërë më shumë tamponë  se shtetet e tjera. Mendoj se ka më shumë raste që janë grip dhe që duhen marrë në konsideratë. Nuk na frikëson gjë. E çuditshme është se vite më parë shkonin në karantinë shqiptarët, tani janë italianët. Rrota kthehet.” tha një italian.

Shumica e udhëtarëve shqiptarë mohojnë se vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi dhe nuk e lidhin kthimin me frikën nga përhapja e shpejtë e sëmundjes virale në Italinë fqinje.

Dje jam nisur nga Napoli. Në jug mirë është.”

“Po vij nga Noccera. Deri tani shumë mirë, kurse andej matanë… Po kthehem se mbusha 3-mujorshin”

“Nuk ka ndonjë gjë andej nga ne. Unë vij nga zona e Xhenovës.”

Mes udhëtarëve pati dhe disa raste të dyshuara për shkak se termometrat digjitalë treguan temperaturë të rritur fiktivisht, po pas lënies në gjendje qetësie dhe rimatjeje udhëtarët vijuan procedurën e kontrollit kufitar në dalje.

“Po kthehemi nga Bari dhe atje na kontrolluan. Nuk kemi frikë fare. Ne në sojin e xhinsin tonë nuk kemi asnjë të sëmurë.” tha një udhëtar.

Në terminalin e udhëtarëve në port është dyfishuar personeli mjekësor i cili është pajisur me mjetet e nevojshme, si maska mbrojtëse respiratore, termometra digjital, medikamente dhe skeda individuale për dokumentimin e të gjithë personave që hyjnë në Durrës nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare të virusit, e përcaktuar nga OBSH.

Që nga dita e sotme është shtuar sasia e mjeteve mbrojtëse dhe monitoruese në dispozicion të ekipit shëndetësor jo vetëm në port, po dhe në strukturat spitalore dhe shëndetësore.

Top Channel