Kontroll udhëtarëve nga Italia/ Në aeroport, çdo pasagjer verifikohet për temperaturë

25/02/2020 15:24
Foto ilustruese

Prej tre ditësh, pas alarmit për një numër të infektuarish me koronavirus në Itali por edhe disa viktimave, në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza në Rinas, janë intesifikuar kontrollet. Gjatë ditës së hënë, kontrollet e pasagjerëve janë kryer për pothuajse të gjitha linjat e fluturimit.

Më prioritare janë ato që vijnë nga Italia dhe bëhet fjalë për mesatarisht 15 linja fluturimi në ditë. Siç mund të shihet në këtë kontroll, ku bëhet matja e temperaturës për të gjithë udhëtarët, një pjesë e tyre janë pajisur me maska mbrojtëse.

Edhe këta shtetas turk, të cilët thanë se nuk kanë pasur kontrolle në aeroportet në vendin e tyre, janë pajisur me maska.

“Ju e dini tashmë problemin me kronavirusin, mendoj se është shumë i rrezikshëm. E kam vendosur maskën sepse dua që të mbroj veten time por edhe të tjerët.” tha një turk.

“E kam vendosur maskën për arsye sepse mund të ketë infeksione por edhe virusi tashmë. Dua shumë që të jem i mbrojtur, për këtë arsye.” tha një turk tjetër.

Për linjat të cilat mund të sjellin pasagjerë me origjinë fluturimi nga kina, atyre u bëhen edhe pyetje të tjera shtesë, si origjina e fluturimit, vendet tranzite, koha e qëndrimit në këto vende tranzite dhe nëse kanë pasur kontakte me persona të infektuar me koronavirus.

Nëse dalin pa probleme, ata lihen të vazhdojnë udhëtimin pasi u merret një numër kontakti telefoni dhe adresa se ku do të qëndrojnë gjatë dy javëve në vijim.

Top Channel