Pas situatës me koronavirusin, ditët e fundit ka nisur të qarkullojë një Email, i cili mban logon e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lidhur me disa këshilla që duhen ndjekur për t’u mbrojtur nga ky virus.

Ky email kërkon që të vendosni të dhënat tuaja si email-in dhe fjalëkalimin me qëllim për të shkarkuar broshurën me këshillat. Por kjo është një vjedhje që ju bëhet të dhënave tuaja, siç thonë edhe kompanitë e sigurisë në internet, dhe në asnjë mënyrë nuk duhen futur këto të dhëna.

Siç mund të shihet në këtë email të konsideruar tashmë Fake, ka edhe gabime drejtshkrimore të cilat konfirmojnë faktin që kjo është një mënyrë e konsideruar “Phishing”, teknikë që përdoret për vjedhjen e të dhënave në internet.

Për këtë arsye, shumë kompani, kanë dërguar email-e te stafet e tyre me qëllim që ti vënë në dijeni të kësaj vjedhjeje online që mund t’u bëhet të dhënave të tyre, dhe kanë kërkuar që çdo informacion të lexojnë në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga ana tjetër, edhe kompanitë që merren me sigurimin e të dhënave në internet, kërkojnë që të bëhet kujdes dhe të mos bien preh e emrit të dërguesit të email-it, të shohin me kujdes linkun se ku të dërgon ky email e po ashtu të lexojnë me vëmendje, pasi nëse ka gabime gramatikore, me siguri janë përballë një grupi kriminal, i cili kërkon të vjedh të dhënat.

E rëndësishme, sipas këtyre kompanive të sigurisë, është që të mos vendosen të dhëna në një faqe e cila nuk ka pse i kërkon këto të dhëna, siç është rasti konkret me email-in që supozohet se dërgohet nga OBSH, dhe po ashtu të mos përdoret i njëjti  fjalëkalim për faqe të ndryshme.

 

 

Top Channel