287 të prekur nga koronavirusi dhe 7 viktima në Itali/ Konfirmohen rastet e para në Kroaci dhe Austri

25/02/2020 12:19

Shifrat e koronavirusit në Itali janë rritur në 7 të vdekur dhe 287 infeksione: 212 raste dhe 6 viktima në Lombardi; 42 raste dhe një vdekje në Veneto; 23 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte dhe Lazio, një në Tirolin e Jugut dhe një në Siçili.

Ushtria ndërkohë arrin në pikat e kontrollit në zonën e kuqe të Lodigiano. Po ashtu ka rezultuar pozitive një grua nga Bergamo, në Palermo si edhe një mjek italian në Tenerife. Në hotelin në të cilin ai ndodhej, bashkë me të shoqen, janë vendosur në karantinë rreth 1 mijë persona dhe ushtria e forcat e rendit ndalojnë daljen e personave nga hoteli. Ndërkohë një tjetër italian në Kili duket se është prekur nga koronavirusi, pavarësisht se ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë, janë kthyer në vend italianët që ishin ndaluar në Mauricius. Deri në mes të Marsit ndërkohë, kompanitë në gjashtë rajone në veri të Italisë, do të mund të aplikojnë punën në distancë ose të ashtuquajturën smart working. Deri më 15 mars ndërkohë janë pezulluar të gjitha aktivitetet shkollore si ekskursione apo projekte shkëmbimi apo binjakëzimi.

Një rast i dyshuar për koronavirus është regjistruar edhe në Firence, një italian i kthyer nga Singapori, ndërkohë që pritet rezultati i testeve.
Ndërkohë, kryeministri italian, Giusepe Conte, ka pranuar se menaxhimi i epidemisë së koronavirusit nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollin e një spitali c’ka edhe mund të ketë kontribuar në përhapjen e virusit në Itali.

Giusepe Conte

“Menaxhimi në nivelin e një strukture spitalore nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollet që janë rekomanduar në këto raste dhe kjo sigurisht ka kontribuar në përhapjen. Por, ne vazhdojmë të ndjekim me rigorozitet situatën dhe ju premtojmë se do të bëjmë maksimumin, ditë e natë”, tha Konte.

Duke folur nga selia e mbrojtjes civile, Konte ka pranuar kështu se ditët e shkuara është bërë një gabim që po paguhet shtrenjtë tashmë nga vendi.

Por ndërkohë rastet e para me koronavirus janë paraqitur edhe në Austri dhe Kroaci.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, saktësoi se i infektuari është një burrë i ri, gjendja e të cilit është stabile. Raportohet se ai është i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive “Dr. Fran Mihaljeviq” në Zagreb.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq,

Po ashtu, Austria është shteti i radhës në Evropë që ka konfirmuar të paktën deri më tani dy raste të infektuar nga koronavirusi.

Lajmi është konfirmuar nga mediat vendase, ku thuhet se të dy personat e infektuar janë nga provinca e Tirolit. Ndërkohë ende nuk ka asnjë shpjegim se nga ka ardhur koronavirusi në këtë zonë. Megjithatë zona e Triolit kufizohet me veriun e Italisë dhe dyshohet se infeksioni të ketë ardhur nga Italia.

Autoritetet në Austri po përpiqen të reagojnë për të gjetur “rastin 0” që shpërndau virusin, ndërkohë po merren masat e nevojshme për të izoluar dy rastet në fjalë.

Pavarësisht masave të forta që Austria ndërmori në kufirin me Italinë duke se nuk është parandaluar përhapja e koronavirusit. Autoritett në Austri thanë se do të ndalojë njerëzit që dyshohen se janë të prekur nga koronavirusin të kalojnë kufirin e saj. Kjo erdhi pas izolimit të shumë personave dhe përhapjen ne masë të virusit në Itali, ku pjesa verior kufizohet me Austrinë.

Austria ndërpreu shërbimet e trenit nga Italia për rreth katër orë të Dielën në mbrëmje për të testuar dy pasagjerë për koronavirus. Treni, që transportonte rreth 300 pasagjerë nga Venecia për në Mynih, u ndalua në anën italiane të kalimit në “Brenner” para se të lejohej të vazhdonte rrugëtimin pasi të dy pasagjerët provuan negativisht.

Top Channel