Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç pohon se këtë vit Serbia do të përballet me një ultimatum për çështjen e Kosovës.

E sigurt është se këtë vit para vetes do të kemi një ultimatum. Do të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse e njohim Kosovën”, deklaroi Vuçiç, në një intervistë  për Televizionin Prva.

Vuçiç pohon, se tani më e di se kush do të jetë  ndërmjetësues i BE në dialogun me Kosovën, por ende nuk mund ta thotë emrin e tij. “Do të na propozojnë një zgjidhje – Plani i Ahtisarit plus. Do të na ofrojnë  edhe një  status të  posaçëm për serbët e Kosovës në disa fusha. E pastaj, çfarë do të bëjmë ne?”, pyeti Vuçiç dhe u përgjigj:

“Do ta pyesim popullin në referendum se çfarë mendon”. Presidenti i Serbisë  pohon se ai i ka hedhur poshtë  planet për “futjen e Kosovës në OKB”. Ndërsa i pyetur, nëse zgjidhja kërkohet deri në  vjeshtë, ai nuk u përgjigj qartë: “Unë nuk e kam gënjyer kurrë popullin. Unë nuk jam gënjeshtar”.

Ai nuk deshi të  përgjigjet në pyetjen, se çfarë  do të bëjë nëse gjendet para ultimatumit – Kosova apo Bashkimi Evropian. “Këtë do ta shihni”, tha ai. Ai bëri të ditur se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të  shpallen me 3 ose 4 mars, kur të kthehet nga vizita në SHBA.

Top Channel