Pasi presidenti i Republikës Ilir Meta depozitoi sot në SPAK një kallëzim penal ndaj ministres së Drejtësisë dhe 2 funksionarëve të lartë të ministrisë, ka reguar vetë Etilda Gjonaj.

Përmes një seri statutesesh në Twitter, Gjonaj shprehet se është gati t’i përgjigjet jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.

“Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim. Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë. Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!”

Më datë 21 shkurt, Meta deklaroi se ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka shkelur ligjin dhe se priste prej saj, deri të hënën (sot) dhënien e dorëheqjes.

“Partnerët janë njohur me shkeljet nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë tentativë për grusht shteti, bazuar në provat që u bënë publike dje rezulton të jetë e përfshirë drejtpërdrejt Etilda Gjonaj dhe institucione në varësi të saj, duke përvetësuar një kompetencë që kushtetuta ia jep presidentit. Gjonaj ka shkelur ligjin për organizimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare. Gjonaj urdhëroi botimin në Fletoren Zyrare të akteve të KED-së, por nuk ka të drejtë të dërgojë për botim këto akte. Sipas kushtetutës, vendimet e KED-së nuk botohen në fletoren zyrtare por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Asnjë diplomat nuk e ka ditur që në Ministrinë e drejtësisë, një grup kriminal ka kryer këto veprime. Ajo, bashkë me zyrtarë të lartë ka kryer disa vepra penale Do të dorëzojmë kallëzim penal në SPAK ndaj Gjonaj dhe disa zyrtarëve. Gjonaj e ka humbur tërësisht besimin e presidentit. Pres deri të hënën dorëheqjen e ministres Gjonaj”, u shpreh ndër të tjera Meta.

Nga ana tjetër, fill pas tij reagoi vetë ministrja:

“Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër. E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!”

Top Channel