Një rrjet i gjerë që vijon të funksionojë në paligjshmëri në vendin tonë në fushën e basteve sportive, u godit nga Policia e Shtetit duke sjellë një numër të lartë arrestimesh në tetë qarqe.

FNSH e Shpiponja zbarkuan në Tiranë, Durrës, Elbasan, Laç, Korçë, Fier, Berat dhe Shkodër ku arrestuan mbi 110 persona.

Dhe sot për një pjesë të tyre do të jepet masa. Tashmë ka nisur prej pak orësh seanca për 87 veta. Ku Ardian Kalia është gjyqtar.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se prokurorja Anisa Qilimi bazohet në akuzën e saj ndaj të dyshuarve veçanërisht në përgjime dhe në veprime të stimuluara nga agjentë të infiltruar.

Në dosjen që Top Channel disponon konkretisht thuhet se për të zbuluar këtë skemë të lojrave të fatit online, është aktivizuar edhe drejtoria e forcës se posaçme dhe operacionale.

Në disa raste është dhënë autorizimi nga gjykata, në një rast thuhet më tej, në datën 23 dhjetor 2019 është angazhuar agjenti i infiltruar me numrin kodik 324. Ai prezantohet në lokal me emër të rremë, komunikon me kamerierin në një rast dhe i kërkon që të vendosë baste online.

Kamarieri i thotë se mund të vendosë shumën që do, dhe më tej agjenti vendos shumën prej 2 mijë lekësh të reja dhe më pas kamarieri i ka thënë se shumën do e tërhiqte në banak.

Prokurorja Anisa Qilimi përveç këtyre, në këtë dosje u referohet edhe përgjimeve, kur thotë se në një rast, njëri nga personat e ndaluar me inicialet R.S komunikon në telefon i shqetësuar për dikë që quhet Mondi dhe thotë që mos të arrestohet dhe të mos të sekuestrohet telefoni pasi zbulohet skema e basteve online.

Ky person, nga kqyrja që bëhet, Prokuroria thotë se nuk është efektiv policie, por ky person me të cilin komunikon personi i ndaluar është Ylli Dervishaj, nga identifikimi i numrit.

Më pas është bërë edhe sekuestrimi i një telefoni Iphone 11 ku dhe janë zbuluar gjithë webistet e hapura me qëllim për lojërat e fatit.

Shumica e të ndaluarve janë administratorë lokalesh. Ndërsa ka dhe prej atyre që kur policia ka mbërritur në lokalin e tyre ka gjetur blloqe ku kishte shënime, që shkruhej borxhe bastesh.

Top Channel