“Hapni derën”, Grabitje në një shtëpi në Bulqizë/ Gruas i thyejnë brinjët, burri me fraktura në vesh e sy

24/02/2020 11:43

Një grabitje ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Çernenë, Bulqizë, ku gjashtë persona janë futur brenda, kanë dhunuar çiftin (djemtë gjenden në emigrim) dhe kanë vjedhur gjithë çfarë u ka dalë para.

Ishte ora 23:00, burrë e grua po shihnin televizor kur dëgjuan trokitje në derën e shtëpisë.

“Dolëm te dera, bërtisni”Hapni derën” dhe ne nuk e hapëm. Këmbëngulën dhe në fund çanë derën dhe u futën brenda 6 persona”, rrëfejnë bashkëshortët.

Nisur nga dëshmia e tyre mësohet se fillimisht agresorët dhunuan burrin, e hodhën në tokë dhe i shkaktuan fraktura në vesh dhe në sy, për të vazhduar më tej me gruan.

Me të hyrë brenda grabitësit të cilët nuk kishin as maska dhe as doreza, por vetëm kapuça kërkuan lekët. Mendohet se mund të kenë qenë të moshës 22-23 vjeçare.

Gruas i kanë thyer gishtin e dorës dhe 2 brinjë. Ajo ka tentuar të heqë kapuçin e njërit prej personave ama s’e kanë lejuar. Pasi kanë ikur grabitësit, bashkëshortja ka shkuar të shohë burrin e saj të shtrirë përtokë. Burrë e grua janë ngritur kanë shkuar të shohin dhomën e gjumit në të cilën ishte bërë grabitja dhe kanë parë çdo gjë të shkatërruar.

Në një komodinë të mbyllur me çelës kanë patur sende me vlerë (florinj), që ua kanë marrë. Gjithashtu kanë grabitur edhe çantën e gruas në të cilën ka patur kartë identiteti, lekë dhe receta mjekësore.E gjitha koha e grabitjes dhe e dhunimit ka zgjatur 5 minuta.Pasi grabitësit janë larguar, çifti ka shkuar te komshinjtë për të kërkuar telefon pasi grabitësit ua kanë vjedhur, me qëllim për të lajmëruar policinë.

Më pas çifti është drejtuar për në spital, për shkak të goditjeve të marra, ku doktorët kanë konstatuar dëmtime të forta.Të nesërmen çifti është drejtuar për në spitalin e Peshkopisë. Policia ka premtuar që ngjarja do të zbardhet shumë shpejt.Gjithashtu policia ka konstatuar që grabitësit kanë qenë me makinë dhe e kanë lënë 200 m larg vendngjarjes.Të nesërmen, policia ka vazhduar kërkimet ku ka gjetur 2 kutia bizhuterish boshe. Çifti bën apel që ngjarja të zbardhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Top Channel