Alkool dhe samba! Karnavale në Rio, fillon festa e madhe…

24/02/2020 13:05

Rio de Janeiro ka nisur paradën e përvitshme të karnavaleve të dielën, me një spektakël të mahnitshëm, por që këtë vit, është mbushur edhe me ngjyra politike.

Në garë për titullin e kampionëve të karnavaleve janë 13 shkollat kryesore të sambës në qytet, që kanë secila rreth një orë kohë për të joshur spektatorët dhe jurinë me kërcimet e nxehta, plot ngjyra dhe me ushtritë e vogla të daulleve dhe veglave të tjera që i shoqërojnë; gjithçka mbi platforma lëvizëse që ngjasojnë me misione të pamundura edhe për vetë inxhinierët.

Eventi ka marrë një kthesë të veçantë politike pas një viti nën qeverisjen e presidentit Jair Bolsonaro, që thellësisht ka ndarë Brazilin me sulmet e tij të herëpashershme ndaj thuajse çdo kauze të dashur për komunitetin e karnavaleve; diversitetin, homoseksualitetin, ambientalizmin, artet etj.

Në të vërtetë, Rio është përfshirë nga festa e karnavaleve që një javë më parë, me festivale epike nëpër rrugë, që njihen si blokos. Ndihmuar nga alkooli dhe samba, këto festa tërhoqën rreth 2 milionë ndjekës fundjavën e kaluar.

 

Top Channel