Rasti i fundit, një 17-vjeçar/ 132 të infektuar me koronavirus në Itali, ja 5 rajonet e prekura!

23/02/2020 15:02

Ndërkohë që bilanci total i viktimave nga koronavirusi në botë kapërceu 2400, numri i të prekurve në Itali ka mbërritur në 130 e 89 prej këtyre rasteve janë në Lombardi.

26 prej personave të infektuar janë aktualisht në terapi intensive. Dy janë vdekjet në vendin fqinj, dhe pesë rajonet e goditura: Lombardia, Veneto, Emilia Romagna, Lazio e Piemonte. Rasti më i fundit i regjistruar ishte ai i një 17-vjeçari, të cilit temperatura e lartë i kishte nisur të premten. Në Milano është propozuar mbyllja e shkollave, muzeve e kinemave.

Në Veneto shkollat janë mbyllur ndërkohë e janë pezulluar dhe karnavalet e Venecias, ndërsa deri në 1 mars atje nuk do të organizohen evente sportive. Rastet e infektimit me Covid-19 në vendin fqinj po rriten me shpejtësi dhe qeveria ka marrë masa emergjente për frenimin e epidemisë. Pjesë e tyre ishte dhe nxjerrja e një dekreti për izolimin e komunave të goditura nga sëmundja, duke i ndaluar hyrje- daljet banorëve, teksa veriu i vendit praktikisht, është blinduar, siç thonë mediat lokale.

Vazhdon sakaq kërkimi “për pacientin zero”; mbetet ende mister se kush e përhapi i pari virusin, teksa 78-vjeçari Adriano Trevisan, i pari që vdiq nga Covid 19 në Itali, në 9 shkurt kishte parë derby-n Inter-Milan në një bar bashkë me 8 tetë kineze, dy nga të cilët nuk kishin shumë që ishin kthyer nga Kina. Ndërkohë masat e forta në rajonet veriore përfshijnë edhe pezullimin e disa ndeshjeve të Serisë A.

 

Top Channel