Vendimet e komunave për mbylljen e bizneseve gjatë ditës së diel po kundërshtohet jo vetëm nga përfaqësuesit e bizneseve por edhe të punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se kjo po bëhet për përfitime të kompanive të mëdha pasi të drejtat e punëtorit nuk zgjidhen me vetëm një ditë pushimi.

Ai kërkon që të rritet numri i inspektorëve të punës të cilët do të garantonin se punëtorët punojnë pesë ditë në javë dhe jo më tepër se 40 orë, si dhe orët e punës në vikend të paguhen dyfish.

Ndërsa përfaqësuesit e bizneseve thonë se kjo është një ndërhyje populliste që do të ketë pasoja ekonomike.
Diskutimet për këto vendime kanë marrë karakter edhe politik duke sjellë edhe kundërshtime brenda koalicionit.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa thotë se kjo do të bëjë që qytetarët të dalin jashtë vendit për t’i shpenzuar paratë.
Deri tani këtë vendim e kanë marrë Komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë, Gjakovës, Deçanit, ndërsa Prishtina, Gjilani e Ferizaj kanë planifikuar që ta vendosin në rend dite për miratim nga Kuvendet komunale në javët në vijim.

Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij hyrës në ditën e votimit të Qeverisë, paralajmëroi se numri i inspektorëve të punës do të rritet në 400 nga afër 100 sa janë tani.

Krejt kjo me qëllim të rritjes së kontrollit ndaj bizneseve, të cilat nuk i respektojnë të drejtat e punëtorëve, duke nisur nga kontrata e punës, pagesa e pensionit, sigurimi shëndetësor, ditët e pushimit dhe orët e gjata të punës.

Top Channel