Koronavirusi ndëshkon fluturimet/ Industrisë së ajrit këtë vit do t’i kushtojë 29.3 miliardë dollarë

21/02/2020 20:17

Përhapja e koronavirusit do të rezultojë në rënien e parë të udhëtimit global ajror në më shumë se një dekadë, parashikon organizmi ndërkombëtar i industrisë ajrore.

Shoqata Globale e Transportit Ajror (Iata) thotë se rrudhja e kërkesës së pasagjerëve si rezultat i shpërthimit të Covid-19 do t’i kushtojë industrisë ajrore 29.3 miliardë dollarë këtë vit.

Në përllogaritjet e saj fillestare, organizata parashikon që kërkesa në rang botëror për udhëtimet ajrore të bjerë me 4.7% në 2020-ten, e para rënie e përgjithshme kjo që nga kriza financiare e viteve në 2008-09. “Kompanitë ajrore janë duke marrë vendime të vështira për të zvogëluar kapacitetin e tyre, e në disa raste, edhe numrin e fluturimeve. Në këtë mënyrë, ulja e kostos së karburantit do të ndihmonte në kompensimin e të ardhurave të humbura, ” tha Alexandre de Juniac, drejtori i përgjithshëm i Iata-s, që shtoi se “ ky do të jetë një vit shumë i vështirë për linjat ajrore.”

Më të prekura nga kjo situatë pritet të jenë kompanitë ajrore në rajonin e Azisë Paqësorit, ku të ardhurat mendohet të bien me 27.8 miliardë dollarë. Problemet më të mëdha, padyshim do t`i ketë Kina. De Juniac theksoi se ky parashikim bazohet në faktin që emergjenca e koronavirusit nuk po përhapet masivisht jashtë Kinës, sepse nëse shtrirja do të jetë më e madhe, atëherë pasojat mbi kompanitë ajrore, sipas tij, do të jenë edhe më të thella.

Top Channel