Hoteli prej akulli/ Të flesh në temperaturën -5 gradë

21/02/2020 20:46

Rreth 200 km mbi qarkun arktik, në Suedinë veriore, dhjetëra turistë mbërrijnë çdo ditë për të vizituar Ice Hotel, ose hotelin prej akulli, në Jukkasjarvi, duke pozuar për foto pranë kollonave të ngrira dhe krevatëve të bërë nga akulli i një lumi të afërt, e ku disa vizitorë përballojnë e madje me kënaqësi temperaturën -5 gradë celcius, përgjatë gjithë natës.

“Fatkeqësisht gjatë natës mu desh të ngrihesha dhe ishte sigurisht shumë ftohtë. Por ishte fantastike sërish kur ktheheshe në jorganin tënd. Dhe mund të flesh shumë mirë, pavarësisht temperaturës”, tha një burrë.

Vetë drejtuesit e këtij hoteli të veçantë dhe unik thonë se kishin patur nevojë për temperatura të ulëta që në vjeshtë në mënyrë që të fillonte puna për ndërtimin e hotelit që preferonin ta hapnin në mes të dhjetorit. Por nëse i ftohti nuk do të fillonte në tetor, atëherë hoteli nuk do të mund të përfundonte në kohë. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë dhe tani vizitorët janë të shumtë.

“Shumë njerëz, para se të hyjnë brenda për të fjetur, kanë frikë dhe mendojnë se do të ngrijnë së ftohti. Veshin shumë rroba…por ne kemi jorganë që janë në gjendje të përballojnë edhe temperaturat -20 gradë celcius, e jo më -5”, tha një grua.

Në përfundim, nuk është i ftohti ai që mund ti trazojë vizitorët. Më shumë ata impresionohen nga qetësia. Pasi gjatë natës, përreth, nuk pipëtin asgjë . Sidoqoftë, në mëngjes, secili prej tyre kthehet pak në fëmijëri. Lëshohet mbi dëborë e pse jo, bën edhe ëngjëj dëbore apo luftë me topa bore.

Top Channel