Dialogu Kosovë-Serbi/ Gjermanët kundër Lajcak: E tmerrshme nëse zgjidhet i dërguar i BE-së!

21/02/2020 13:47

Dy ekspertë gjermanë, të cilët janë edhe njohës të mirë të rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel dhe Bodo Weber, thonë se Brukseli do të bënte një gabim të madh strategjik nëse i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do të caktohej kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak.

“ Kapaciteti i tij – qoftë si një i dërguar special i ngarkuar për negocjatat vetëm Ballkanin Perëndimor, ose dhe si një lloj përfaqësuesi special për cdo marrëdhënie të bllokut me rajonin – mbetet i paqartë”, shkruajnë ata për EuObserver. “ Ajo që është e qartë”, vazhdojnë dy ekspertët, “ është se kjo ka për të qenë një zgjedhje e tmerrshme”.

“Ato negociata të keqplanifikuara”, thuhet në shkrim, “ dëshmuan se cdo lloj bisedimi i mbështetur në harta, demarkacione etno-territoriale dhe interesa lidershipi, vetëm zgjidhje nuk është”.

Pasardhësi i Mogherinit, Joseph Borell e ka kuptuar sipas dyshes gjermane, se që negociatat të rinisin nën një udhëheqje të besueshme evropiane, rolin një të dërguari të posaçëm duhet t’ia delegojë dikujt tjetër, pasi kjo është një detyrë e vështirë që kërkon angazhim me kohë të plotë. Në pamje të parë, Lajčák mund të duket se i ka kualifikimet e nevojshme. Ai flet serbisht, dhe ka shërbyer dy herë në Ballkan, e përpos të tjerash, di edhe sesi të “lundrojë” mes burokracisë në Bruksel. Por Lajcak, sipas dy gjermanëve, është njeriu i gabuar për këtë detyrë.

Ata kujtojnë sesi me procesin e negociatave Kosovë-Serbi do të merren dy zyrtarë të lartë të BE-së  që vijnë nga shtete, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Borelli nga Spanja, dhe Lajçaku nga Sllovakia. Përpos kësaj, ekspertët theksojnë se Miroslav Lajçak, në bagazhin e tij politik në Ballkan ka vetëm dështime, duke kujtuar mposhtjen e tij të turpshme në betejën politike me liderin e serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, një konflikt sic thonë ata, ministri i jashtëm sllovak, ku i bëri llogaritë gabim e tregoi dhe aftësi tejet të kufizuara politike.

Top Channel