Teqeja bektashiane e Zallit në Gjirokastër festoi me një ceremoni simbolike 240-vjetorin e themelimit të saj mes të ftuarve të shumtë, besimtarë dhe autoritete.

Objekti historik i vendosur në periferi të qytetit ka një vlerë të veçantë shpirtërore për banorët në Jug. Përtej të qenit një monument fetar ajo përmendet në histori si një qendër bashkimi, kuvendesh dhe strehe pa dallim feje. Teqeja e Zallit tha dervish Mikel Onjea ishte streha e Çerçiz Topullit dhe e shumë luftëtarëve për liri dhe në këtë 240 vjetor dyert e saj vazhdojnë të mbeten të hapura për të gjithë.

E themeluar në vitin 1780 teqeja e Zallit u bë një qendër e patriotizmit dhe identitetit shqiptar. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, Teqeja e Asim Babait në Zall ishte kthyer në shkollë klandestine shqiptare ku baballarët e dervishët

ishin mësuesit e gjuhës shqipe gjatë natës. Baba Aliu i teqesë së Zallit ishte një prej mbështetësve kryesorë të misionit të Abdyl Frashërit  në Jug të Shqipërisë. Ai organizoi Kuvendin e Prevezës, Kuvendin e Gjirokastrës, Kuvendin e Janinës, Kuvendin e Frashërit në krah të Abdyl Frashërit për mos lejimin e copëtimit të tokave shqiptare.

Teqeja e Zallit ishte qendra më e rëndësishme prej nga shpërndahej libri në gjuhën shqipe dhe shumë klerikë të saj u ndërshkuan prej perandorisë osmane e më pas edhe prej diktaturës komuniste.

 

Top Channel