1600 mjekë dhe infermierë të rinj, Manastirliu: Punësim me transparencë në sistemin shëndetësor

21/02/2020 09:53

Tiranë-  Në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se sistemi shëndetësor po plotësohet me mjekë të përgjithshëm dhe specialistë, që mungonin 5 vite më parë.

“Largimi i mjekëve dhe infermierëve për të cilët flitet me panik është një gjysëm e vertetë. Sepse ka mjekë dhe infermierë që rikthehen dhe mbi të gjitha mjekë dhe infemrierë që vijojnë të punësohen në sistem. Për katër vite u bllokuan specializimet, ndërsa sot kemi 200 mjekë specialistë që janë punësuar në spitalet rajonale. Në vetëm dy vite, 400 mjekë dhe 2200 infermierë janë punësuar në sistemin shëndetësor publik”, tha Manastirliu.

Duke përmendur punësimin e 79 mjekëve pak ditë me parë, Manastirliu premtoi transparencë për punësimin e mjekëve dhe infermierëve.

“Ju jeni brezi i ri i mjekëve dhe infemrierëve që jeni dëshmitarë të dy momenteve të rëndësishme. Jeni dëshmitarë të Paktit për Universitetin dhe të punësimit mbi bazë merite me portalin “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, një sistem që është vendosur dhe nuk do të ketë më kurrë kthim mbrapa, për të punësuar me transparencë mjekët dhe infermierët”, u shpreh Manastirliu para mjekëve dhe infermierëve të rinj.

Top Channel