Gjyqtari i rrethit gjyqësor të Tiranës Flamur Kapllani zyrtarisht është vënë nën hetim dhe akuzohet për shpërdorim detyre me vendimet gjyqësore që ka dhënë në kundërshtim flagrant me ligjin.

Elementë të veprës penale, shpërdorim detyre, janë konstatuar pas verifikimeve paraprake që ka bërë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ose ndryshe SPAK.

Gjyqtari, i njohur nga publiku për arsimin e mangët profesional ka dhënë një vendim tërësisht abuziv, të pambështetur në ligj dhe në aktet e marrëveshjeve tregtare në lidhje me aksionet e kompanisë mediatike Digitalb.

Kjo marrëveshje përjashtonte gjykatat shqiptare në rast mosmarrëveshjes mes palëve. Këto të fundit kishin rënë dakord me shkrim se çdo çështje do zgjidhej nga gjykata e arbitrazhit në Vjenë.

Por gjyqtari Flamur Kapllani nuk e mori parasysh këtë pjesë duke thënë një vendim tërësisht flagrant, vendim tek i cili SPAK ka gjetur elementët e shpërdorimit të detyrës. Ndaj gjyqtarit më 3 shkurt ka bërë padi në SPAK kompania Loresa Sh.p.k dhe pak ditë më vonë ka ardhur edhe përgjigjja e prokurorisë së posaçme.

Në fakt nuk ka qenë aspak e vështirë për të verifikuar se gjyqtari ka vepruar në kundërshtim me ligjin. SPAK ka njoftuar palët se ka gjetur se veprimet e gjyqtarit kanë elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe këtë dosje e kanë dërguar për trajtim në prokurorinë e rrethit gjyqësor të Durrësit.

Ky është dokumenti i SPAK për këtë rast flagrant që tregon se si gjyqtari ka shkelur ligjin me vendimet e dhëna. Ndërsa hetimi penal ka nisur fakte të reja të shkeljes së ligjit nga ana e gjyqtarit Flamur Kapllani pritet të dalin së shpejti.

Top Channel