Rrëfehet gazetarja Romina Zaçe: Objektivi im është të afroj pranë njëra-tjetrës kulturat e Spanjës dhe Shqipërisë

20/02/2020 16:00

Në studion e emisionit “Shqipëria Live” të drejtuar nga dyshja e moderatorëve Florian Gjini dhe Erjona Rusi ishte e ftuar gazetarja Romina Zaçe. Për të gjithë ata që nuk e njohin, Romina Zaçe prej gjashtë vitesh punon në median spanjolle ONDA AZUL RTV Málaga.

Lidhur me eksperiencën e saj në vendin Iberik ajo vendosi të flasë në studio. Zaçe u shpreh se nuk ndihet e paragjykuar nga spanjollët. Madje thotë ajo spanjollët janë shumë të ëmbël ndaj të huajve, pasi i shikojnë si diçka ekzotike. E pyetur nga moderatorët në lidhje me paragjykimet, gazetarja u shpreh se paragjykime nuk ka pasur, por është e shqetësuar për faktin që Shqipërinë nuk e njohin, ka disa prej tyre që madje nuk e dinë se ku i bie vendi ynë. Gazetarja e shikon si objektiv të sajin që të bëjë një gërshetim kulturash midis Spanjës dhe Shqipërisë.

“ Fillova praktikën aty një vit (i referohet medias ku punon ONDA AZUL RTV Málaga) , më pas më bënë kontratë. Spanjollët nuk kanë shumë njohuri për Shqipërinë dhe është objektivi im aty që spanjollët të njohin kulturën shqiptare. Nuk kam pasur paragjykime, çuditen kur i them që nuk jam nga Spanja, sepse e flas spanjishten shumë mirë. Spanjollët janë shumë të dashur dhe e pëlqejnë shumë të huajën, e duan shumë ekzotiken”, u shpreh gazetarja.

Ndër të tjera gazetarja foli dhe për qëllimet e saj, duke zbuluar se ka në mendje projektin e një programi në fokus barazinë gjinore. Në këtë mënyrë ajo do të tentojë të ofroj pranë njëra tjetrës dy kulturat Spanjë-Shqipëri. “Qëllimi im është të marr një emër,dhe më pas një program me barazinë gjinore dhe të ofroj të dyja kulturat, Shqipëri-Spanjë”, tha Romina.

Top Channel