Skandali/ Messi thyen heshtjen: Ajo që po ndodh, e çuditshme!

20/02/2020 17:18

Ditët e fundit Barcelona është vënë në qendër të një skandali që shpërtheu pas zbulimit të Cadena Ser në lidhje me kontratën e klubit me kompaninë I3 Ventures për të diskredituar në rrjetet sociale disa futbollistë dhe për të mbrojtur reputacionin e presidentit Bartomeu.

Mes emrave të përmendur në këtë histori ishte edhe ai i kapitenit Lionel Messi i cili theu heshtjen në një intervistë të gjatë për El Mundo Deportivo.

“Kjo histori më kapi pak në befasi, sepse nuk isha këtu, po udhëtoja. kur u ktheva kuptova pak nga gjithçka. Presidenti na tha ato që kishte deklaruar në publik, të njëjtat gjëra që kishte thënë në konferencë shtypi, se cila ishte situata, çfarë ndodhi dhe nuk mund të shtoj asgjë tjetër. E vërteta është se është e çuditshme që të ndodhin gjëra të tilla. Thanë që kanë prova, duhet pritur për të parë nëse kjo është e vërtetë apo jo”, shprehet Messi.

Lionel Messi në intervistën e tij foli për shumë tema; largimin e Valverdes dhe ardhjen e Setien, familjen e tij, por edhe për merkaton e transferimeve teksa nuk fshehu dëshirën për të pasur në skuadër Lautaro Martinez e Neymar

“Lautaro Martinez është spektakolar, impresionues. Do të bëhet një futbollist i madh dhe këtë po e tregon. Ka shumë cilësi, është i kompletuar, ka shumë gjëra të përbashkëta me Suarez. Do të doja të vinin të gjithë këtu për të tentuar të fitojnë gjithçka. Do të më pëlqente të kthehej edhe Neymar, është ndër më të mirët. Është një person i qeshur, argëtohej brenda dhe jashtë fushe. nuk më pëlqeu mënyra si iku, por ka dëshirë të kthehet ka treguar që është penduar”, thotë Lionel Messi.

Në fund Lionel Messi qetësoi tifozët teksa mohoi zërat që flasin për largimin e tij.

“Jetohet vërtet mirë në Barcelona. E dua Barcelonën edhe pse më merr malli për Rosarion. Kjo është shtëpia ime. Kam jetuar më shumë këtu se në Argjentinë. Përsa i përket qëndrimit në klub, e kam thënë shumë herë se ideja ime është kjo që të mos largohem dhe përsa kohë këtë e duan edhe klubi e njerëzit për mua nuk përbën ndonjë problem. dua të fitoj një tjetër Champions, kampionate të tjera në Spanjë”, shton ai.

Top Channel