​Familjes Bllaca iu dha lamtumira e fundit, nesër ditë zie në Gjilan

20/02/2020 16:46

Cërnica e Gjilanit ishte bërë “korb” i zi pasditen e së enjtes. Ky fshat sot kishte pritur me qindra njerëz për ngushëllime për pesë anëtarët e familjes Bllaca. Me qindra morën pjesë edhe në varrimin e trupave të pajetë, që u nisën nga xhamia e fshatit Cërnicë. Pesë anëtarët e kësaj familje vdiqën në mënyrë tragjike të martën.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe drejtori policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pjesëtarë tjerë të Policisë e përfaqësues të komunës së Gjilanit.

Valdetës, nënë Hanifes, babait Zeqirit dhe dy vëllezërve Blerimit e Fisnikut sot iu dha lamtumira e fundit tek varrezat e fshatit në Cernicë.

Kosova u trondit mesditën e së martës nga një vrasje e cila ndodhi brenda familjes. Aty u shua një familje e tërë pesë anëtarëshe.

Në emër të familjes, kushëriri Halil Bllaca pati tri mesazhe për të gjithë që ishin pjesëmarrës në këtë varrimin e tyre.

 

“Mesazhi i parë është se kjo familje beson në Zot. Mesazhi i dytë është se kjo familje beson në shtet dhe në institucionet e Kosovës. Mesazhi i tretë është mesazh falënderues për të gjithë juve, posaçërisht për ato komunale dhe ato republikane, që në ditët më të vështira na u keni gjetur pranë.. dhe në këtë drejtim dua t’iu falënderoj të gjithëve rend, dhe t’iu kujtojë që familja Bllaca pret për ngushëllime në Cërnicë njerëzit për tri ditë, në xhaminë e fshatit”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka bërë të ditur se nesër do të jetë ditë zie në këtë komunë.

Ismajli: Nesër është ditë zie në Gjilan

“Në emër të kryetari të komunës shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bllaca. Një humbje e madhe, shuarje e një familje. Një rast gogja i rëndë dh e ndjejmë bashkëdhimbje me këtë familje sot e përgjithmonë. Më lejoni t’iu njoftojë se nesër është ditë zie me vendim të kryetarit të komunës të Gjilanit për nder të familjes Bllaca”, ka theksuar ai.

Në lidhje me këtë rast, sipas hetimeve të para të bëra në vendin e ngjarjes, dyshohet se zyrtarja e policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, ka shtënë me armë zjarri nga e cila ka lënë të vdekur nënën Hanifen, babën Zeqirin si dhe dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun. Motivi i kësaj ngjarje të rëndë ende nuk dihet.

Top Channel