Defiçiti apo mungesa e hekurit është një nga mungesat nutricionale më të shpeshta dhe shkaku kryesor i anemisë në botë dhe në Shqipëri.

Hekuri është një element kimik shumë i rëndësishëm ku një nga funksionet e tij më të rëndësishme është formimi i hemoglobinës, proteinë kjo që gjendet në rruazat e kuqe të gjakut dhe është përgjegjëse për transportin e oksigjenit në organizëm. Hekuri është gjithashtu i rëndësishëm për të mbajtur të shëndetshme qelizat e organizmit, të lëkurës, thonjtë dhe flokët.

Defiçit hekuri kemi atëherë kur sasia totale e tij në organizem ulet si rezultat i prishjes së ekuilibrit midis sasisë së marrë dhe asaj të humbur. Kur defiçiti i hekurit është aq i thellë sa pengon formimin normal të rruazave të kuqe të gjakut atëherë shfaqet anemia ferrodefiçitare.

A jeni ju të rrezikuar?

Mungesa e hekurit është e zakonshme sidomos te fëmijët, femrat në moshën riprodhuese dhe tek individët që konsumojnë ushqime me përmbajtje të pakët hekuri.

Mungesa e hekurit shfaqet nëse:

Hekuri nuk merret mjaftueshëm nga dieta ushqimore(vegjetarianët dhe veganët)
Përthithje jo normale e hekurit nga trakti tretës (sëmundja e zorrës, celiakia etj)
Humbja e gjakut si rezultat i periodave të shumta te femrat,hemorragji të traktit gastrointestinal(ulçera gastrite, variçe të ezofagut, gastrit atrofik, fizura, hemorroide, tumore etj), dhurim i shpeshtë gjaku, kirurgji, trauma etj.
Rritje e kërkesës për hekur (rritja dhe zhvillimi te fëmijët dhe adoleshentët, shtatëzania, laktacioni, aktiviteti i shtuar fizik) etj.
Përdorimi i barnave për sëmundje të tjera por që mund të shkaktojnë hemorragji si aspirina, sintrom, kortizonikët, anti-inflamatorët josteroide, hemodializa.
Individët me defiçit të hekurit apo anemi nga mungesa e tij mund të manifestojnë simptoma të tipit:

Lodhje dhe dobësi trupore, ulje të performancës fizike, rënie flokësh, çarje të këndeve të buzëve, thyerje thonjsh, tharje goje, djegie të gjuhës sidomos pas marrjes së ushqimeve apo lëngjeve, vështirësi në gëlltitje, intolerancë ndaj të ftohtit, konsumim i substancave joushqimore si: akull, thonjtë, rërë, shkumës, etj, problem në rritjen dhe zhvillimin te fëmijët.

Personat, ku është shfaqur tashmë anemia, në varësi të gravitetit të kësaj patologjie, manifestojnë dhimbje koke, zhurma në vesh, vështirësi në frymëmarrje apo të rrahura të shpeshta të zemrës (palpitacione) kur kryejnë aktivitet fizik, mungesë përqëndrimi më e shfaqur në personat me moshë të madhe, deri në angina pectoris dhe komplikacione kardiake.

Si diagnostikohet defiçiti i hekurit në organizëm?

Për të matur nivelin e hekurit në organizëm rekomandohet kryerja e analizave si vijon:

Gjak komplet, përshkrimi i serisë së kuqe(formulë)
Retikulocit
Sideremi
Ferritinemi
Elektroforeza e Hemoglobinës
Feçe gjak okult ,Fece parazit
ERS
Në varësi të rezultateve të marra nga ekzaminimet e mësipërme, mund të jetë e nevojshme, nëse mjeku e gjykon të arsyeshme, kryerja e ekzaminimeve të tjera specifike të cilat variojnë në varësi të shkaktarit/ve që ka ndikuar në shfaqjen e anemisë.

Për femrat postmenopauzës dhe për të gjithë meshkujt këshillohet kryerja e endoskopisë së traktit gastrointestinal(gastroskopisë) për të përjashtuar ekzistencën e një sëmundje të mundshme tumorale.

Mungesa e hekurit apo anemia nga mungesa e hekurit është një patologji lehtësisht e trajtueshme dhe nëse gjendet dhe korrigjohet shkaku i anemisë dhe aplikohet trajtimi adekuat me ferroterapi, atëherë mund të kemi edhe rezultate shumë të mira.

Pse është e rëndësishme të diagnostikojmë dhe të trajtojmë në kohë mungesën e hekurit në organizëm?

Të zbulosh dhe të trajtosh mungesën e hekurit në organizëm do të thotë të lehtësosh dhe të zhdukësh shenjat dhe simptomat që vijnë nga mungesa e tij. Trajtimi i duhur bën që këta persona të ndihen më të shëndetshëm, më aktiv për të përballuar aktivitetet ditore.

Kujdes, për një pjesë të individëve, mungesa e hekurit mund të jetë paralajmërim se dicka shqetësuese po ndodh me organizmin tuaj, prandaj duhet të kryeni kontrolle dhe ekzaminime të herëpashershme sepse ato ju ndihmojnë për një jetë të shëndetshme dhe cilësore.

Top Channel