Tragjedia në Gjilan, policja me seanca dhe terapi për shkak të gjendjes psikologjike

19/02/2020 16:45

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të tjera në lidhje me policen, e cila është përfshirë në ngjarjen e rëndë që ka ndodhur gjatë së martës në Gjilan.

Sipas informacioneve, gruaja  ka qenë duke punuar në Stacionin Policor të Gjilanit dhe që nga 07 korrik 2017, pas rekomandimit të psikologut të Policisë së Kosovës i është marrë arma zyrtare dhe është caktuar në punë të lehta, ky vendim është rikonfirmuar më pas edhe nga klinika përkatëse pas kontrolleve shëndetësore psikologjike të mbajtura me 16 tetor të vitit të kaluar për shkaqe shëndetësore, e njëjta ka qenë me detyra të lehtësuara kryesisht me punë administrative, ku bazuar në rekomandimet dhe procedurat e parapara të njëjtës i ishte marrë arma zyrtare.

Në kuadër të Policisë zyrtarja është trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, gjersa në klinikën e kontaktuar nga Policia ajo ka mbajtur 6 seanca, ku i është caktuar diagnoza përkatëse dhe i është caktuar terapia adekuate nga komisioni mjekësor përkatës.

Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 3 tetor 2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore-psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse.

Arma e saj ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku zyrtarja ka shërbyer. Mënyra si ajo ka ardhur deri tek arma është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Policia thotë se janë kontaktuar 20 persona si dëshmitarë të mundshëm të kësaj ngjarje dhe se informacionet e marra nga këta persona janë pjesë e procedurës hetimore.

Në Gjilan janë duke vazhduar veprimet e tjera hetimore, vazhdimi i ekzaminimit të vendit të ngjarjes, identifikimi i dëshmitarëve të tjerë të mundshëm, identifikimi dhe tërheqja e video dëshmive si dhe dëshmive tjera të cilat mund të shërbejnë për zbardhjen në detaje të rastit.

Ndryshe, pas hetimeve preliminare nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Inspektorati Policor i Kosovës, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës, suspendimin e katër zyrtarëve policorë, komandantin e Stacionit Policor Gjilan, zëvendëskomandantin, shefin e operativës dhe një zyrtar të stafit civil.

Policia e Kosovës, bazuar në rekomandimin e IPK-së, po ashtu me datën 18.02.2020 ka bërë suspendimin e këtyre zyrtarëve policorë në kohëzgjatje prej 72 orëve, me qëllim të zhvillimit të hetimeve të pavarura.

Top Channel