“Surpriza” e paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, në prag të vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Beograd, mungoi. Me gjithë spekulimet përpara vizitës, Shoigu qëndroi këtë javë në Serbi pa sistemin raketor “Pancir S1”, të cilin Beogradi e ka blerë nga Moska, thotë REL.

Sipas analistit ushtarak serb, Aleksandar Radiç, arsyeja për këtë duhet kërkuar në Rusi. “Autoritetet në Beograd kanë nevojë të bien në sy para publikut, por rusët ndoshta nuk e kanë të njëjtin emocion. Mbase për momentin nuk kanë nevojë për këtë formë marketingu”, tha Radiç.

Por në thelb, vizita e ministrit rus të Mbrojtjes në Serbi dhe takimet e tij me zyrtarët në Beograd, ka aktualizuar çështjen e blerjes së armëve ruse nga Serbia, si edhe vetë armatosjen e Serbisë dhe mjetet e saj për mbrojtje. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), këto mjete në vitin 2019 janë rritur për 28.7 për qind, përkatësisht nga 704 në 906 milionë dollarë.

Me këtë rritje të buxhetit të mbrojtjes, Serbia ka arritur në krye të listës së vendeve të kontinentit europian. Blerjet e shpeshta të armëve nga Rusia kanë ngritur shqetësime si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington. Nëntorin e vitit të kaluar reagoi dhe i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, për shkak të blerjes së pajisjeve ushtarake ruse.

Top Channel