Rënie drastike e vlerës së Pogbasë, Man. United mund ta shesë për vetëm 50 milionë

19/02/2020 09:07

Manchester United mund të detyrohet të pranojë shitjen në verë të Paul Pogbasë për jo më shumë 50 milionë stërlina, shumë shifër kjo shumë më e ulët se vlera që ka në të vërtetë futbollisti. Tashmë ekziston perceptimi, si në radhët e drejtuesve të “Djajve të Kuq” ashtu edhe te përfaqësuesit e francezit, se ai po kalon sezonin e fundit në “Old Trafford”, pas një tjetër periudhe zhgënjyese.

Pogba ka luajtur vetëm 71 minuta që nga shtatori për shkak të një dëmtimi të përsëritur në kyçin e këmbës së djathtë. Atij i duhet të kalojë edhe një muaj kohë në palestër për t’u riaftësuar plotësisht, por trajneri Solskjaer nuk ishte në gjendje të ofronte siguri nëse do të mund të aktivizohej në pjesën e fundit të sezonit.

Verën e kaluar, United mund të merrte oferta edhe më të mëdha se 150 milionë stërlina për Pogbanë, por vlera e kartonit të 26-vjeçarit ka rënë ndjeshëm, sepse ai do të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij në muajin korrik.

United mund ta zgjasë atë me 12 muaj, por drejtuesit e klubit anglez do të bënin mirë ta shisnin për të kompensuar sadopak shumën 89 milionë stërlina (rekord për kohën), që e shpenzuan për ta blerë nga Juventus në vitin 2016.

Mungesa së tij e zgjatur dhe polemikat e shkaktuara nga menaxheri italian Mino Raiola, mund të ulin ndjeshëm çmimin e kampionit të botës.

Top Channel