Putin po planifikon lëvizjen që do ta bëjë të paprekshëm!

19/02/2020 14:52

Vladimir Putin po planifikon lëvizjen që do ta bëjë të paprekshëm edhe në rast largimi nga pushteti.

Shumë shpejt presidentet rusë mund të fitojnë imunitet për jetë nga ndjekja penale edhe pasi të largohen nga detyra. Propozimi i ri për ndryshimin e kushtetutës, i bërë nga një grup ligjvënësish, mund ta shpëtojë Putinin nga çdo hetim edhe pasi të përfundojë mandati i tij në vitin 2024.

Kremlini nuk ka bërë ende asnjë koment mbi këtë zhvillim, megjithatë paketa e re e reformave po shihet si një mundësi që lideri rus të ruajë i pashqetësuar ndikimin e tij edhe pas lënies së presidencës. Pjesë e kësaj pakete janë edhe planet për ndryshimin e emërtimit nga kryetar shteti në lider suprem si dhe forcimin e pozitave të kryeministrit, post ky të cilin Putin mund të kërkojë ta mbajë vetë.

Iniciativat që ai ka ndërmarrë së fundi, përfshirë riformatimin e qeverisë, shihen gjerësisht si përpjekje e tij për të zgjatur qëndrimin në pushtet edhe pas katër vjetësh, kur duhet të lërë presidencën. Propozimet e grupit të punës lidhur me hetimin e kryetarëve të shtetit duhet të kalojnë edhe dy votime të tjera në Dumën ruse, përpara se të mbërrijnë në Dhomën e Lartë të parlamentit e në fund, të firmosen nga vetë shefi i Kremlinit.

Top Channel