I dërguari i posaçëm i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, reagoi ashpër ndaj një lajmi që theksonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende janë të hapura ndaj idesë për një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes një mesazhi në twitter, Grenell, i cili shërben dhe si ambasador i SHBA-së në Berlin, e quajti “lajm të rremë” artikullin e portalit Euobserver, të publikuar të martën.

Euobserver, shkruante se një ide e tillë vazhdon të mbetet mjaft popullore në qarqet amerikane, pavarësisht kundërshtimit që i bën kësaj ideje Gjermania. Një gjë të tillë e ka pohuar njëfarësoj për portalin në fjalë thënë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, që nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.

“U takon palëve të krijojnë parametrat e dialogut”, ka thënë ai. “Ajo çfarë ne mbështesim është që palët të gjejnë rrugën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave, duke vendosur në tryezë çështjet që i shqetësojnë dhe të gjejnë mënyrë për normalizim të marrëdhënieve, mundësisht me njohje reciproke në qendër. Ne do të dëshironim të shohim njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si rezultat i procesit negociues”, ka theksuar mes tjerash Palmer.

Zyrtari i lartë nuk iu përgjigj pyetjes nëse pozicioni i Shteteve të Bashkuara është kundër Gjermanisë, e cila ka deklaruar se marrëveshja për shkëmbim territoresh mund të destabilizojë rajonin. Ideja që Serbia mund të marrë një pjesë të veriut të Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, është shpërfaqur fillimisht në vitin 2018. “Politika amerikane është që nëse të dyja palët mund të punojnë mes vete dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk përjashtojmë ndryshimet territoriale”, pat deklaruar ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është pezulluar, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të vendosur 100 për qind taksë në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës nëntorin e vitit 2018.

Top Channel