Përplasjet SHBA-BE mbi gjendjen e aleancës transatlantike

18/02/2020 03:37

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shprehën mendime të ndryshme mbi gjendjen e marrëdhënieve transatlantike pas Konferencës së Munihut për Sigurinë që u mbajt gjatë fundjavës dhe ku morën pjesë qindra udhëheqës politikë dhe ushtarakë. Evropianët akuzuan

Uashingtonin për ‘kundërshtim të idesë së një komuniteti ndërkombëtar’, por Shtetet e Bashkuara thanë se aleanca është në gjendje të mirë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, ekziston një mosmarrëveshje midis aleatëve perëndimorë mbi atë se cili është saktësisht kërcënimi më i madh për demokracinë perëndimore.

A po lulëzon apo po bie Perëndimi? Për delegacionin amerikan diagnoza është e qartë.

“Perëndimi po fiton. Ne po fitojmë në mënyrë kolektive. Ne jemi duke e bërë këtë së bashku”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari Pompeo tha se dëshmi për këtë janë trupat amerikane që po mbrojnë kufirin e NATO-s me Rusinë dhe roli udhëheqës i Amerikës në mposhtjen e Shtetit Islamik.

Zoti Pompeo gjithashtu premtoi 1 miliard dollarë për të ndihmuar vendet e Evropës Lindore që t’i japin fund varësisë ndaj gazit rus, dhe për rritjen e eksportit të gazit natyror amerikan.

Në anën tjetër të Atlantikut, diagnoza është e ndryshme. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Shtetet e Bashkuara po kalojnë një periudhë të “rishikimit të marrëdhënieve me Evropën”, dhe kontinenti duhet të marrë vetë përgjegjësinë për fatin e tij.

“Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ne mendonim se vlerat tona ishin universale, se do të dominonim botën në një afat të gjatë, por kur hedh vështrimin nga 10-15 vitet e ardhshme shoh se do të ketë një presion gjithnjë e më të madh nga agjenda dhe vlera të tjera, që janë duke u rritur.”

Presidenti Macron tha se ka ardhur koha për një “dialog strategjik” me Rusinë. Ministri i Jashtëm rus tha në konferencë se ka ardhur koha për të “braktisur kultivimin e kërcënimit fantazëm rus.” Shumica e vendeve

evropiane thonë se ndërhyrja pushtuese e Rusisë në Ukrainë është dëshmi e rreziqeve reale.

Por, politika ndaj Kinës mund të jetë çështja që shkakton më shumë përçarje në marrëdhëniet transatlantike. Ligjvënësit amerikanë përsëritën paralajmërimet kundër lejimit të firmës kineze Huawei që të ketë rol në ndërtimin e teknologjisë 5G.

“Kjo ka të bëjë me zgjedhjen e autokracisë mbi demokracinë në fushën e informacionit.”

Fokusi këtë vit në temën e sigurisë kibernetike solli në skenë drejtuesin e Facebookut, Mark Zuckerberg, mes akuzave se platformat e mediave sociale po lehtësojnë shtetet si Rusia dhe Kina që të ndërhyjnë në demokracitë perëndimore.

“Ne ishim të ngadaltë në përpjekjet për të kuptuar llojin e informacionit dhe operacioneve që Rusia dhe të tjerët po ndërmerrnin në internet. Ne pezullojmë tani më shumë se një milion llogari të rreme në ditë në rrjetin tonë.”

Organizatorët e konferencës përshëndetën përparimin diplomatik në zona të tjera, përfshirë një takim publik midis presidentëve të vendeve rivale, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Pati takime të nivelit të lartë edhe për Libinë dhe Sirinë, por me pak sukses.

Tema e konferencës ishte menduar të ishte rënia e supozuar e demokracisë perëndimore në mes të frikës në Evropë për marrëdhënie të tensionuara me Uashingtonin. Delegacioni amerikan i hodhi poshtë këto shqetësime, duke këmbëngulur se Perëndimi nuk kishte qenë kurrë në një gjendje më të mirë dhe e la konferencën me një mesazh të qartë:

Kina është kundërshtari numër një dhe aleatët evropianë duhet të jenë syhapur përballë këtij kërcënimi./VOA

Top Channel