Partizani para dy sfidave vendimtare për ecurinë e sezonit!

18/02/2020 20:47

Fitorja e tretë radhazi, ndërthurur me ndalesën e Kukësit dhe Tiranës, në klasifikim 5 pikë larg kreut dhe 4 ndaj rivalëve të përjetshëm. Gjërat në futboll ndryshojnë shpejt dhe tani vështirë se mund të thuhet se Partizani nuk është në garë për mbrojtjen e titullit, në një kohë kur në lojë janë edhe plot 44 pikë, kampionati është ende i gjatë, ndërkohë që Sormani po merr pak ngapak frytet e një pune që nisi me jo pak vështirësi.

Nëse ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit qëndron arsyetimi se bëhej fjalë për një kalendar të lehtë, duke qenë se bëhet fjalë për dy skuadrat e fundit të tabelës, ndaj Laçit ishte një provë e vërtetë karakteri, një fitore me përmbysje të realizuar brenda pak minutash, dhe mbi të gjitha ndaj një kundërshtari të fortë dhe në luftë për Europën.

Ndërkohë në tre sfidat e kampionatit, kanë ardhur dhe ata që mungonin më tepër, golat, në 3 ndeshje në kampionat janë shënuar 8 gola duke pësuar vetëm 1, duke i shtuar sfidën e kthimit në Kupë, bilanci shkon në 11 gola të shënuar dhe 2 të pësuar. Spikat mbi të gjithë Telushi, ka qenë pikërisht ai lojtari që po jep një rendiment të jashtëzakonshëm, një snajper në goditjet e dënimit përveçse motor i palodhur i mesfushës.

Sormani thotë se i intereson që skuadra të shkojë te goli, nuk i intereson se kush shënon, megjithatë është e qartë që pret më tepër nga sulmuesit, me Solomon që duket se vuan psikologjikisht ngërçin para porte, siç u shfaq edhe në ndeshjen me Laçin. Para janë dy sfida tejet të rëndësishme, përballja në shtëpi me Bylisin dhe pastaj derbi me Tiranën, dy ndeshje ku të kuqtë shkojnë me humorin e duhur, nëse ja dalin edhe te to, mund të thuhet me plot gojën që Partizani është rikthyer.

Top Channel