Të gjithë mësuesit që kanë plotësuar vjetërsinë e punës në arsimin parauniversitar do t’i nënshtrohen testimit më datë 4 prill.

Në këtë provim ka të drejtë të marrë pjesë çdo arsimtar që në fund të dhjetorit të 2019-ës ka mbushur 5 vite punë për të zotëruar titullin “mësues i kualifikuar”, ndërsa mësuesit me eksperiencë 10-vjeçare do të testohen për kategorinë “mësues specialist” dhe ata me vjetërsi 20-vjeçare për t’u kualifikuar si “mësues mjeshtër”.

“Testi i kualifikimit është i përbërë nga dy pjesë, pjesa e parë e formimit të përgjithshëm, madje ka pyetje dhe nga drejtshkrimi i gjuhës shqipe, pastaj vjen pjesa e formimit shkencor të mësuesit ku ai fokusohet te lënda e tij”, u shpreh Dorina Rapti, drejtore e kurrikulës dhe kualifikimit, ASCAP.

Pjesëmarrja nuk është e detyrueshme, megjithatë dëshira e arsimtareve për t’u rritur profesionalisht është e madhe si dhe ka një përfitim të vogël monetar.

“Të marrësh kategorinë e kualifikimit e quajnë zhvillimin e tyre profesional, por sigurisht ka dhe rritje rroge. Për 5 vjet 5%, pastaj 10% deri në 15%”, shtoi Rapti.

Proçesi i kualifikimit të mësuesve është I përvitshëm.  Në bazë të pikëve të dosjeve që kanë dorëzuar si dhe testit, ata vlerësohen me shkëlqyer, shumë mirë, mirë dhe dobët.

“Rreth 3000 mësues marrin pjesë në procesin e kualifikimit , vjet e kaluan rreth 93% me sukses, ndërsa 7% nuk e fituan. 6% e mësuesve janë në nivelin shkëlqyer dhe pastaj  rreth 40% janë në nivelin shumë mirë dhe 39% në nivelin mirë”, tha drejtoresha e kurrikulës.

Pavarësisht rezultateve negative, 7% e mësuesve që nuk u kualifikuan vjet nuk kanë pasur penalizime , referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, si dhe kanë të drejtë të ritestohen vitin pasardhës.

“Nëse mësuesi merr dobët ka të drejtën të testohet deri në 3 herë për titullin, por nuk humb vendin e punës.”

Top Channel