Në një postim në Facebook, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi shprehet se Parlamentin do e shpërndajë populli dhe se presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij.

“Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij. DO KETË DISA DEKRETE PËR SHPARTALLIMIN E GRUSHTIT TË SHTETIT. BËNI DURIM! DEKRETET DO T’I ZBATOJË POPULLI SHQIPTAR! ??”, përfundon Blushi.

Postimi në fjalë vjen pas takimit të Metës, ditën e sotme me kreun e opozitës, Lulzim Basha, ku u tha se ndër të tjera, presidenti e njohu Bashën me shqetësimet që ka për sa i përket ndryshimeve, ku sipas tij qeveria po kërkon të bëjë grusht shteti.

“Presidenti do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”, shkruhej në deklaratë.

Reagimet në fjalë pasojnë ato që presidenti Meta tha mbrëmjen e djeshme, i ftuar në emisionin “Open”.

“Duhet goditur ky grusht shteti që paratë e Konferencës së Donatorëve të shkojnë aty ku duhet. Përpara se të më shkarkojnë, i shkarkoj unë ata. Unë do të mbroj Kushtetutën e Shqipërisë deri në fund me bindjet e qarta që kam. Ata të shkarkuar janë. Kanë frikë nga zgjedhjet. Bëjnë ligje mbi ligje se kanë frikë. Ata kanë frikë popullin dhe median. Bënë ligje për t’ju hequr fjalën ju”, u shpreh Meta.

 

 

Top Channel