Zyrtare, Lirim Kastrati ndjek gjurmët e Rrahmanit, transferohet te Dinamo Zagreb!

17/02/2020 16:56

Lirim Kastrati bën hapin e madh në karrierë. Talenti kosovar është bërë zyrtarisht pjesë e Dinamos së Zagrebit me të cilët ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, por deri në verë do të qëndrojë te skuadra aktuale, Lokomotiva e Zagrebit.

21-vjeçari i cili është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit që prej vitit 2017, ka qenë një objektiv i drejtuesve të klubit më të madh në Kroaci pas paraqitjeve të mira që ka bërë me skuadrën tjetër të kryeqytetit dhe për ta bërë të tyrin futbollistin drejtuesit e Dinamos kanë derdhur në arkat e Lokomotivës rreth 2,5 milionë euro. Kastrati është shprehur shumë i lumtur për këtë transferim dhe për kontratën deri në vitin 2025 që ka firmosur me Dinamon e Zagrebit.

“Prej momentit kur u transferova në Kroaci, shpresoja të luaja me Dinamo Zagreb. Sot dëshira dhe ëndrra ime është kthyer në realitet. Dua të falënderoj këdo që më ndihmoi të jem pjesë e klubit më të madh në Kroaci”, tha Kastrati.

Kalimi te Dinamo e Zagrebit mund të shërbejë edhe si një trampolinë për Lirim Kastratin ashtu siç ndodhi me një tjetër futbollist të përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmanin.

Top Channel