M. L. KASCHNITZ u lind në vitin 1901 në Karlsruhe. Tregimet e para të saj u shfaqën në vitin 1930. Në vitin 1933 boton Romanin “Fillimi i dashurisë”. Shkrimet nga viti 1937 e deri pas Luftës së Dytë Botërore botohen pas vdekjes, në vëllimet: ”Këngë nga jeta njerëzore” dhe “Kopshti i vjetër”. Në vitin 1951 boton “Fëmija i shëndoshë dhe tregime të tjera”. Në vitin 1952 boton “Zëra të huaj” Në vitin1955 merr çmimin “Georg Büchner”.

Në vitin1958 merr çmimin letrar “Immermann”. Në vitin1964 merr çmimin letrar “Georg Mackensen”. Në vitin1965 bëhet anëtare e Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura, Mynih. Në vitin 1968 shpallet “Doktor nderi” i Universitetit të Frankfurtit. Në vitin 1970 nderohet me çmimin “Hebel”. Martesa me arkeologun e shquar Guido von Kaschnitz dhe udhëtimet shumëvjeçare në Itali, Greqi, Afrikë, Turqi, si dhe njohja e kulturave antike kanë një ndikim të padiskutueshëm në krijimtarinë e saj. Në letërsinë e saj shihet si përcaktuese përthyerja e emocioneve të botës femërore përmes një ndjeshmërie brilante. Ajo është lirike dhe mjeshtre e pasqyrimit të përvojave personale. Marie Luise Kaschnitz ndëroi jetë në Romë në vitin 1974. Letërsisë gjermane të gjysmës së dytë të shekullit të XX do t’i mungonte një ngjyrë shumë origjinale dhe e pazvendësueshme, nëse i hiqet krijimtaria e Kaschnitz-it.

NJË SHTËPI E QETË

Shtëpi e qetë, thatë? Tani po që është shtëpi e qetë, por deri pak më parë ishte skëterrë. Sipër dhe poshtë nesh jetojnë familje me fëmijë të vegjël. Veç t’i përfytyroni ulërimat dhe të bërtiturat, grindjet, përplasjet dhe gërvishtjet e këmbëve të vogla, të inatosura! Fillimisht goditnim me bishtin e fshesës në dysheme dhe në tavan. Kur kjo nuk bënte punë, im shoq i binte telefonit. -Po, na falni, – thoshin prindërit, – të voglës po i dalin dhëmbët; binjakët po mësojnë të ecin. Sigurisht që ne nuk kënaqeshim me justifikime të tilla. Im shoq u ankua tek administratori i godinës; një ankesë çdo javë, pastaj u mbush kupa. Qiradhënësi u shkroi letra atyre sipër dhe atyre poshtë dhe i kërcënoi me prishjen e menjëhershme të kontratës. Fill pas kësaj gjendja u përmirësua. Banesat këtu nuk janë edhe aq të shtrenjta dhe çiftet e reja nuk kanë para për t’u shpërngulur. Si i bënë fëmijët të rrinin urtë? Epo, nuk e di me saktësi. Besoj se tani i lidhin te këmbët e krevatit, kështu që veç mund të zvarriten dhe normal që bëjnë më pak zhurmë. Ndoshta marrin qetësues të fortë. Nuk ulërijnë dhe nuk bërtasin më, por gugatin me vete, me zë fare të ulët, si në gjumë. Tani i përshëndesim sërish prindërit tek i ndeshim nëpër shkallë. Madje i pyesim: Si janë fëmijët? -Mirë, – thonë prindërit. Por nuk e di se përse këtë fjalë na e thonë me lot në sy.

LIBRI I FUNDIT

Fëmija u kthye vonë sot nga shkolla. -Ishim në muze,- tha. -Pamë librin e fundit. Në mënyrë të pavullnetshme hodha sytë nga muri i gjatë i dhomës sonë të ndenjes, i cili dikur mbulohej nga një sërë raftesh plot me libra, ndërsa tani është bosh e i lyer me të bardhë, që të duket televizori i ri plastik. -Edhe, çfarë libri ishte?- thashë e tmerruar. Thjesht një libër,- tha fëmija. -Me një kopertinë dhe anë të pasme dhe me fletë, të cilat mund t’i shfletosh. – Po çfarë kishte të shkruar në të?- pyeta. – Nuk kam nga ta di,- tha fëmija. -Nuk na lejohej ta preknim. Ndodhej poshtë xhamit. -Sa keq!- thashë. Ndërsa fëmija kishte kërcyer ndërkohë për të ndezur butonin e televizorit. Muri i madh, i bardhë, u gjallërua, tregonte një kope elefantësh që kapërcenin një shtrat lumi në xhungël. Lumi i turbullt llokoçitej, nxitësit indigjenë bërtisnin. Fëmija qe rehatuar mbi tapet dhe shikonte me kënaqësi kafshët e mëdha. “E ç’mund të ketë brenda një libëri të tillë?!”- murmuriste.

Përktheu nga gjermanishtja Marsela Likaj

 

Top Channel