Shitësja çarmatosi grabitësin/ Me armë në argjendari, arrestohet pas disa orësh në një kafene

17/02/2020 16:47

Astrit Thaçi, grabitësi 27 vjeçar, u kap nga policia pak orë pas vjedhjes që ai bëri të shtunën në një argjendari në Elbasan. Ndërkohë, shitësja e kësaj argjendarisë e kishte çarmatosur atë.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, ku autori i vjedhjes Astrit Thaçi, hyn në argjendari si një qytetar i zakonshëm i interesuar për blerje. Pak momente më pas, nën kërcënimin e armës ai merr disa bizhuteri nga argjendaria, por largohet pa armën e tij.

27 vjeçari Thaçi, u arrestua mbrëmjen e së shtunës në një lokal në zonën e kombinatit në Tiranë.
Në momentin e arrestimit, policia i gjeti dhe sekuestroi autorit 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe rreth 51 mijë lek të reja.

Ky grabitës, në vetëm një jave ai arriti të kryente 8 vjedhje, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, një pjesë e tyre e kryer edhe në kushtet e dhunës.

Objektet e vjedhjes së tij ishin kryesisht markete, banka, argjendari, agjenci turistike por edhe individët.
Lidhur me këto grabitje, policia ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë, një 20 vjeçare nga Tirana, e cila dyshohet se ka ndihmuar Astrit Thaçin që të mos binte në prangat e policisë.

Personi tjetër në pranga është një 26 vjeçar nga Elbasani, i cili dyshohet se ka blerë 4 byzylykë floriri të cilat ishin vjedhur nga Astrit Thaçi.

Më herët, ky grabitës, ishte dënuar në Itali me shtatë vite burg, për vjedhje me armë, si dhe njihet me precedent kriminal në Shqipëri për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Top Channel