Fill pas përfundimit në Bruksel të Konferencës së Donatorëve sa i takon procesit të rindërtimit prej tërmetit të 26 nëntorit, ku u mblodhën plot 1.15 miliardë euro në ndihmë të Shqipërisë, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhen në një konferencë për shtyp.

“Sot i tejkaluam të gjitha pritshmëritë, kjo është një shifër fenomenale që do plotësojë nevojat e vendit. Jam shumë e emocionuar nga solidariteti, nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh ndër të tjera Der Leyen.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij, Rama tha:

“Mirënjohje e jashtëzakonshme dhe e papërshkrueshme për presidenten e Komisionit Evropian që është kyçe për atë çka dëshmuam sot dhe asaj që praktikisht tejkaloi edhe imagjinatën time më të shfrenuar, ndaj Ursula faleminderit shumë. S’do ta harroj kurrë telefonatën tënde, ndërsa kthehesha nga zonat e dëmtuara rëndë, për të shkuar e për të ndenjur me ato familje të cilat humbën praktikisht më shumë se 2/3 e pjesëtarëve të tyre. Më kujtohet çfarë më the, përtej fjalëve mjaft të sjellshme të ngushëllimit ju premtuat që do ishit bashkë me mua në këtë përpjekje dhe nuk do ishim vetëm dhe vërtet do të këndoja edhe himnin e Liverpool-it për ty sot sepse është tejet e jashtëzakonshme e më mbush zemrën ajo çfarë dëshmuam. Është e jashtëzakonshme sesi solidariteti u përshfaq një nga një, prej zemrës së Evropës këtu në Bruksel, me një kontribut të jashtëzakonshëm të BE-së, Italisë, Emirateve, Turqisë, Gjermanisë. pa asnjë dyshim nuk matet me vlerën e asaj që gjithkush dha por matet me atë solidaritet të pamatshëm. Është një nga ato momente ku dikush të nisë të mendojë se diçka magjike ka ndodhur, ne po mendonim që me 40% të gjithë shumës do ktheheshim pa patur ankth në shtëpi, 40% do e quanim sukses, e ndërsa 50 mrekulli. E di që presidenti Macron që prej momentit të parë e ka pritur me padurim këtë eveniment, më përcolli dëshirën më të mirë, urimet më të mira dhe ndjesën që nuk ishte dot i pranishëm, edhe nga Italia. Falenderoj kancelaren sepse e di sa shumë ka punuar në mënyrën e saj të heshtur për të bërë bashkë kaq shumë forca, pa harruar Erdoganin. Ursula faleminderit shumë, është një moment fantastik për të gjithë që të kuptojnë që BE mund të na ngrejë nervat po është unik dhe është projekti më vizionar që njerëzimi ka përfytyruar për t’i bërë njerëzit bashkë dhe për ta shndërruar politikën në diçka të mirë.”

 

Top Channel