SHBA në mbështetje të Kosovës/ Pompeo: Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës, thelbësore për Ballkanin

17/02/2020 16:26

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka bërë urimin e tij në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës ku deklaroi se sovraniteti dhe pavarësia e saj mbeten thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.

“Për më shumë se një dekadë”, shkruan Pompeo, “dy vendet tona kanë gëzuar një partneritet të fortë mbështetur në vlera të përbashkëta. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në udhëtimin e saj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të nxitur përparimin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, vazhdon mesazhi i tij.

Shefi i diplomacisë amerikane thekson se pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të qeverisë, Kosova ka një mundësi të ripërtërirë për të realizuar pritshmëritë e qytetarëve të saj dhe ato të marrëdhënieve me vendet fqinje. “Jemi inkurajuar nga ngjarjet e fundit që sinjalizojnë një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit, dhe lidhjeve tregtare dhe të njerëzve me Serbinë, të cilat paraqesin themelet për përparim të mëtejshëm në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Pompeo.

Shtetet e Bashkuara po këmbëngulin që qeveria e re e Kosovës të heqë taksën 100% mbi produktet serbe si mënyrë për të zhbllokuar procesin e dialogut, por edhe nga Beogradi kanë kërkuar të heqë dorë nga përpjekjet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Top Channel