Me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Vjosa Osmani kryeparlamentare dhe Albin Kurti, kryeministër, vizituan sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, të cilët theksuan se prioritet i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë të veçantë ka nderin dhe kënaqësinë në emër të Kuvendit të Kosovës t’i drejtohet Ushtrisë së Kosovës, e cila është i sinonim i shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të republikës sonë.

Osmani tha me këtë rast në këtë kazermë që mban emrin e komandantit Adem Jasharit, shembullit të sakrificës e vetëflijimit për atdhe, liri dhe pavarësi që qytetarët e gëzojnë sot, është obligim moral e qytetar, të kujtohen me dhembje por edhe krenari, përpjekjet e gjeneratave të kaluara, që u flijuan për Kosovën, si dhe amaneti i tyre është jetësuar, kemi shtetin dhe ushtrinë tonë.

 “Ushtria e Kosovës, është produkt i luftës për liri, i rezistencës së një populli të tërë, i gjakut të dëshmorëve, por edhe i miqësisë së hershme e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dhe me Bashkimin evropian që ishte nisur si mision strategjik nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova”, theksoi Osmani.

Ajo po ashtu tha se forcat tona do të konsolidohen si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat ushtarake të NATO-së dhe si të tilla janë që tani të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n.

 “Të dashur ushtarakë, ju duhet të ndiheni krenarë që jeni pjesë e një formacioni ushtarak i cili ka veç një mision: mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurisë e qytetarëve të Republikës pa dallim. Do të punojmë pareshtur që të bëjmë realitet Kosovën që duam ne, vend të sigurt, ku respektohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, vend të zhvilluar ekonomikisht, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian dhe në strukturat tjera euroatlantike. Anëtarësimi në NATO mbetet objektivi kryesor strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë”, tha Osmani.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti para pjesëtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, tha se uniforma e ushtarëve të FSK-së, është mëshirim i sakrificës tonë kombëtare.

Kurti tha po ashtu se mbi ushtrinë bie detyra e rëndë dhe e shenjta për mbrojtjen e vendit.

Sipas tij, pa ushtri, Kosova është e dobët dhe e pa mbrojtur.

 “Të gjithë ne që marrim poste dhe pozita publike e ministrore jemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës. Me votën e tyre, qytetarët kanë deleguar besimin te ne që të udhëheqim me politika të punësimit e të zhvillimit ekonomik, të drejtësisë dhe të drejtave, të edukimit dhe shëndetësisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Por, mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë për mbrojtjen e vendit. Uniforma juaj është mëshirim i sakrificës sonë kombëtare. Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pa mbrojtur. Prandaj, ne mburremi me shërbimin tuaj”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka theksuar sërish se shërbimin ushtarak do ta bëjë të detyrueshëm.

 “Ne të gjithë mund dhe duhet të mësojmë nga disiplina e ushtarit, nga përkushtimi në punë e profesion dhe nga dashuria e madhe për t’i shërbyer vendit… Prandaj, edhe do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm sepse përvoja dhe mësimet e përfituara gjatë shërbimit ushtarak na duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk e bëjmë sepse kemi ambicie për të pushtuar apo për të sulmuar. Ne jemi popull paqedashës dhe liridashës. Ne asnjë herë nuk kemi pushtuar dhe okupuar tokat e huaja ose robëruar popuj të tjerë, por kemi mbrojtur dhe do të mbrojmë çdo herë çdo cep të vendit tonë”, tha Kurti.

Kryeministri i vendit duke folur për investimet në ushtri tha se kanë vendosur si qeveri e re ta rrisin forcën dhe sigurinë në vend.

Po ashtu edhe Kurti tha se prioritet i qe verisë së tij mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE.

Top Channel