Përhapja e koronavirusit, Kina kufizon me tej lëvizjet

16/02/2020 18:30

Kina po forcon masat për reduktimin e lëvizjeve në provincën Hubei, ndërsa përpiqet të luftojë shpërthimin e koronavirusit të ri.

62 milionë njerëz janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin që andej vetëm në rast emergjence. Edhe përdorimi i makinave private është ndaluar pa afat. Hubei dhe qyteti i Uhanit, janë goditur më rëndë nga virusi që deri më tani ka marrë 1665 jetë njerëzish në kinë. Por, Pekini ka njoftuar për një rënie rastesh të reja për ditën e tretë radhazi dhe thotë se po e kontrollon tashmë përhapjen e virusit.

Ndërkohë, autoritet në Pekin kanë urdhëruar të gjithë ata që kthehen në qytet të futen në karantinë për 14 ditë, ose përndryshe përballen me ndëshkim. Banka qendrore e kinës ndërkohë ka filluar dezinfektimin dhe magaziminim e kartmonedhave të përdorura para rihedhjes së tyre në qarkullim, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit. Të dielën, autoritetet raportuan 2009 raste të reja, një rënie kjo krahasuar me 2641 rastet e të shtunës dhe 5090 rastet e të premtes.  Rastet e reja arritën kulmin gjatë javës pas një ndryshimi të mënyrës së diagnostikimit, por që atëherë ka nisur rënia. Në total 68500 persona janë infektuar deri më tani në kinë. Buletini i përditshëm i komisionit kombëtar të shëndetësisë ndërkohë foli për 142 viktima të reja në shkallë vendi, pjesa më e madhe në Hubei.

Tajvani ndërkohë ka raportuar një viktimë të virusit, një 61 vjeçar që nuk kishte udhëtuar jashtë së fundmi por që vuante nga diabeti dhe hepatiti B. Jashtë kinës ka patur më shumë se 500 raste në afro 30 vende. Katër persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e virusit jashtë kinës, në Francë, Hong Kong, Filipine dhe Japoni.

Top Channel