Kërcënonte gruan dhe 3 fëmijët se do t’i vriste, arrestohet me pistoletë në dorë 54-vjeçari në Petrelë

16/02/2020 11:57

Ajo çka mund të përfundonte në një ngjarje të rëndë kriminale në fshatin Gurrë e Vogël, Petrelë është parandaluar në kohë.

Një burrë kërcënonte për vdekje me pistoletë bashkëshorten dhe tre fëmijët, por pas ndërhyrjes së policisë agresori është vënë në pranga.

Bëhet fjalë për shtetasin O. M., 54 vjeç, banues në Gurrë të Vogël, Tiranë, të cilit iu sekuestruan dy armë zjarri, tritol, municion luftarak e një thikë.

54-vjeçari, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe 3 fëmijëve të tyre dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë, 54-vjeçari u kap me pistoletë në dorë, me fishek në fole gati për qitje duke kërcënuar bashkëshorten dhe tre fëmijët për t’i vrarë.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në banesë dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (pistoletë e pushkë), një sasi fishekësh luftarak për pistoletë dhe për pushkën, tre kallëp tritoli dhe një thikë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit O. M., për veprat penale “Dhuna në familje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Top Channel