Greva e punëtorëve në Poçem, Kryemadhi letër Ballukut e Prokurorit të Përgjithshëm: Tu jepen pagat e prapambetura, gjeni përgjegjësit

16/02/2020 19:28

Teksa punonjësit e stacionit të pompimit të ujësjellësit dhe elektrik në Poçem, sot janë në ditën e katërt të grevës së urisë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ka drejtuar një letër institucioneve shtetërore  që të reagojnë për rastin në fjalë.

Letra e Kryemadhit u është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, dhe në veçanti kryeprokurorit Olsian Çela, ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Ballukut, kreut të KLSH Bujar Leskajt dhe Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca.

Në këtë letër Kryemadhi informon institucionet shtetërore për 16 grevistët duke thënë se ata kanë 27 paga të prapambetura, ndërsa  këtë ajo e quan shkelje e të drejtave të njeriut nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.  Kryemadhi kërkon që Ministria e Energjisë të marrë masat për dhënien e pagave të prapambetura si edhe zbardhjen e veprimeve dhe mosveprimeve të agjencive të shtetit.

”Agjencitë shtetërore dhe përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka përgjegjësinë e monitorimit dhe ndjekjes së zbatimit të kontratës mes subjektit privat që administron stacionin dhe punonjësve ka qenë tërësisht jashtë funksionit dhe ka qenë në vetëdije të plotë për shkeljen për një kohë të gjatë të të drejtave bazë të punonjësve”- shkruhet në letër ndër të tjera.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel