Pioli: Krenar për skuadrën, ja pse nuk duhej dhënë penalltia

14/02/2020 09:41

Pas 45 minutave perfekte në derbin e të dielës përballë Interit, Milani i Piolit dominoi për më tepër se 70 minuta edhe në sfidën e Kupës së Italisë përballë Juventusit mbrëmjen e djeshme, por në fund nuk shkoi më shumë se një barazim.

Tekniku i kuqezinjve u paraqit në konferencën e zakonshme për shtyp në përfundim të takimit dhe deklaroi se është shumë i kënaqur me performancën e lojtarëve të tij, që interpretuan në mënyrë perfekte ndeshjen ndaj bardhezinjve.

“U kam kërkuar lojtarëve të mi të dalin nga fusha pa pishmane, pasi kemi dhënë gjithçka brenda 90 minutave. Jam krenar për paraqitjen e bërë, ndonëse meritonim të merrnim më tepër se thjesht një barazim. Megjithatë do të provojmë të ndryshojmë gjithçka në ndeshjen e kthimit”, deklaroi Pioli.

Për më tepër se 70 minuta Milani ishte zot i “San Siros” dhe po bënte të vuajë Juventusin, por episodet si kartoni i kuq ndaj Theo Hernandez dhe penalltia në minutën e parë shtesë, bënë që kuqezinjtë të mos marrin më tepër se një pikë.

“Nuk e kuptova pse u akordua penallti ajo e Calabrias, pasi lojtari ishte në rënie dhe me shpinë nga topi, ndaj prekja ishte tërësisht e pavullnetshme. Aksioni i Juves nisi nga një faull i pastër i Alex Sandros ndaj Ibrës, por edhe prekja me dorë ishte e njëjtë me rastin e Cerrit, që në një takim me Rizzolin, u tha se nuk ishte penallti, pasi prekja ishte e pavullnetshme. Nuk po kuptohet asgjë për prekjet me dorë, pasi arbitrat po i japin kur duan”, u shpreh trajneri i Milanit.

Top Channel