Marrëveshja e 2017-së mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste u bazua në ndarjen e pushtetit, por këtë herë demokratët mohojnë bashkëqeverisjen me socialistët.

“Ta bëjmë qartë s’do ketë bashkëqeverisje mes opozitës së bashkuar dhe qeverisë. Qeveria kujdestare do jetë neutral dhe zbaton standardet dhe praktikat më të mira dhe nuk ndërhyn për të mos prishur zgjedhjet. Qeveria kujdestare s’duhet të drejtohet nga Edi Rama. Edi Rama nuk është kryeministër. Ajo përbëhet nga figura me integritet moral dhe profesional dhe integritet për të garantuar votën e shqiptarëve”, shprehet Bylykbashi.

Qeveria kujdestare u hodh si ide në tryezën politike të reformës zgjedhore, por mori refuzimin e prerë të socialistëve. Demokratët nuk i humbin shpresat për kushtin e tyre.

“Nuk pres që mazhoranca të thotë po. Se edhe në raste të tjera ka bërë të njëjtën gjë. Siç bëri me dekriminalizimin. Dhe në fund u detyra ta pranonte atë që ishte interesi publik”, shton Bylykbashi.

Enkelejd Alibeaj, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi dolën para medias për të prezantuar tri paketat e reformës zgjedhore, të cilat i besojnë hetimin e krimeve zgjedhore institucioneve te reja të drejtësisë të sulmuara jo pak here nga demokratët.

“I qëndrojmë anatemimeve të bëra. Qëndrimi ynë është se po të ofrojmë besimin dhe kemi ofruar edhe zgjidhje tjetër, që të bëjnë detyrën. Me një qeveri kujdestare nuk besojmë se do shkelin ligjin”, ka thënë Alibeaj.

Nga rikthimi i policisë në qendrat e votimit dhe vrojtimi me kamera sigurie e deri tek forcimi i ligjit te dekriminalizimit për stafin e subjekteve elektorale, janë disa nga propozimet e demokratëve.

“I keni parasysh çunat problematik, subjektet do detyrohen të deklarojnë stafin e fushatës”, thotë Alibeaj.

Kërkesa për zhbërjen e reformës territoriale nuk do të jetë pjesë e asaj zgjedhore, Edhe pse Lulzim Basha kërkoi që pjesë e zgjidhjes politike te jetë edhe ndarja territoriale.

Top Channel