Në të 10-tën, ditë të hedhjes në veprim të Operacionit Forca e Ligjit, kryeministri Edi Rama nga foltorja e parlamentit është shprehur i kënaqur por kritikat ia adresojë analistëve të caktuar pa ia përmendur emrin.

“E kemi tronditur krimin e organizuar. Janë aq të tronditur saqë dalin nëpër studio emra që mbrojnë krimin, për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, për njerëz që kanë shfrytëzuar vajza të familjeve të varfëra duke bërë para me nderin e tyre. Ka politikanë të lidhur me krimin, pa dyshim, dhe janë ata që flasin më shumë sesi krimi është lidhur me politikën”, shprehet Rama.

Kryeministri dha këtë argument se përse janë të nevojshme ndryshimet ligjore për sekuestrimin e pasurive.

“Ofensiva s’është lojë, është një operacion që fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar. Çuarja në burg e këtyre njerëzve, është njësoj si çuarja me studime pas-universitare e profesorëve. Në burg këta njerëz janë rehat, kanë lidhje deri në SHBA për të drejtuar nga burgu operacionet fitimprurëse. Burgu për ta nuk mjafton. Këta duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme, dhe do të bëhet e pamundur që me makina sfiduese të vërtiten lart e poshtë duke i bërë karshillëk shtetit”, shprehet Rama.

Përmes Ligjit anti-mafia bosët e krimit tha kryeministri jo vetëm nuk janë dënuar por kanë shpëtuar sërish. Shembullin e solli nga Durrësi.

“Pasuria e tyre marramendëse ka dalë e pastër. Me mijëra katrorë e pasurisë publike që kur i sheh në hartë bosh dhe kur futesh ke labiriente dhe janë bërë pronarë me hektarë. Po marrim një risk real në kushtet kur drejtësia është ende fraxhile. Por kemi SPAK-un. Është e përputhur. SPAK ka lindur për të. Është aty që të bëjë atë”, tha Rama.

Dalja nga sistemi drejtësisë i prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar tha kryeministri është vetëm fillimi. Fundin ua paralajmëroi me këto fjalë.

“Gabimisht, disa njerëz mendojnë se marrëdhëniet e dyshimta të gjykatësve dhe prokurorëve menduan se mbaroi atje. Vettingu s’është gjykatë që të çon në burg. Të thotë je në rregull, apo i ke duart pis. Kur i ke duart pis, del nga sistemi. Pastaj, ata njerëz me duar të pastra do thërrasin ata me duar të pista. Ka ardhur dita tani, që ato pasuri të pajustifikuara i ke bërë me djersën e ballit, përndryshe jo vetëm që s’të takojnë, por për një periudhë s’do flesh në shtëpi, por do flesh me shokët, me ata që ke bërë pasurinë”, tha më tej kryeministri.

Top Channel