Përveç përdorimit të telefonave celularë në shkolla, edhe pse është e ndaluar me urdhrin e Ministrisë së Arsimit, nxënësit i shfrytëzojnë telefonat celularë për të ushtruar bullizëm ndaj shokëve të tyre të klasës.

Profile të ndryshme në instagram, me emra të klasave përkatëse nga 5-deri në të 9, janë hapur nga fëmijë për të postuar fytyra të nxënësve me mbishkrime tallëse.

Adminët e faqeve fotografojnë shokët apo shoqet e klasës në momente të vështira dhe më pas i ndajnë fotot me të panjohurit e rrjeteve sociale. Komentojnë tiparet e vajzave apo mimikën e djemve, me qëllimin e vetëm për t’i bërë të ndihen keq, si në këto postime ku shkruajnë ‘vetull katror’ apo shpjegohu idiot. Nxënësit kanë postuar edhe foto të mësuesve të shoqëruar me mbishkrimin ‘profesori mbrapa është danoç’. Gjithashtu, telefonat celular i kanë përdorur edhe gjatë procesit të mësimit brenda në shkollë.

“E xhironi mësuesen në klasë, gjatë orës së mësimit? Po nxjerrin video për të bërë gallata më mësuesit , tallen… dhe mësuesit po të shohin sigurisht që ndihen keq…”, thotë një nxënës.

Së fundmi, një grup nxënësish të një shkolle 9-vjeçare kanë publikuar në Instagram edhe videon ku dhunojnë shokun e tyre të klasës, duke qeshur. Ministria e Arsimit i tha Top Channel se janë parë të gjitha shkollat në Kombinat, si dhe vijon kërkimi, por nuk është gjetur as vendi as ata nxënës dhe se dyshojnë se kjo është video e vjetër. Megjithatë drejtorët e shkollave kanë mbledhur mësuesit për t’u kujtuar përgjegjësinë e për të forcuar marrëdhëniet me nxënësit.

“Ne kemi bërë mbledhje me stafin pedagogjik, pavarësisht se nuk ka ndodhur në shkollën tonë, por është njëlloj sikur ka ndodhur në shkollën tonë”.

Nga ana tjetër, prindërit shqetësohen për këto ndodhi në shkolla dhe mendojnë se duhet të jenë vetë ata që t’u flasin fëmijëve në shtëpi. /Kristi Gongo/

Top Channel