PD: Për sa kohë është Rama, ligji antiKÇK është i dështuar. Pse nuk preket Tahiri, Xhafaj, Balla dhe Olsi Rama?

07/02/2020 13:50

Partia Demokratike ka risjellë sërish në vëmendje akuzta për ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllain e ti, po ashtu edhe ish ministrin Tahiri, Taulant Ballën dhe vëllanë e kryeministrin , Olsi Rama.

Sipas PD ligji antiKÇK është i garantuar të dështojë për sa kohë Rama është në krye.

“Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, jo vetëm nuk u prek dhe nuk u sekuestrua pasuria e asnjë trafikanti droge, të lidhur me pushtetin, por ata morën pasuri publike, miliona euro tendera dhe koncesione”, tha Paloka.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETARI EDI PALOKA.

Me Edi Ramën në krye të qeverisë dështimi i të ashtuquajturit ligji antiKÇK është i garantuar, njësoj siç dështoi ligji Antimafia për të goditur pasuritë e krimit.

Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, jo vetëm nuk u prek dhe nuk u sekuestrua pasuria e asnjë trafikanti droge, të lidhur me pushtetin, por ata morën pasuri publike, miliona euro tendera dhe koncesione.

Rasti më flagrant i dështimit të shtetit përballë forcës së krimit është Agron Xhafaj. Vëllai i ish ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk u hetua asnjëherë për pasuritë e tij, megjithëse është i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.

Agron Xhafaj është i paprekshëm nga ligji, sepse ai dhe vëllai i tij deputet i Partisë Socialiste, i shërbejnë pushtetit kriminal të Edi Ramës.

Është provuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, shkeli çdo ligj për të mbrojtur 2 vjet më parë Agron Xhafën, i kapur sërish në flagrancë si trafikant droge. Ardi Veliu, i cili sot kaloi vetingun politik në polici, u komandua në detyrë në shkelje të ligjit si ushtar i trafikantit të drogës Agron Xhafaj.

Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe Ardi Veliu duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve:

1. A e ka përfshirë policia vëllanë trafikant droge të Fatmir Xhafës në listën e personave që do t’u verifikohet pasuria?
2. Pse është i paprekshëm Saimir Tahiri, subjekt direkt i ligjit antiKÇK?
3. Kush e pengon policinë të zbatojë ligjin njësoj për të gjithë dhe të verifikojë pasuritë e miqve të dënuar si trafikantë droge të Olsi Ramës dhe Taulant Ballës?

48 orë janë të mjaftueshme për të sqaruar opinionin publik, i cili, në çdo sondazh shprehet në shumicë dërrmuese se nuk i beson qeverisë së Edi Ramës as për të luftuar krimin, as për të luftuar korrupsionin dhe për të rimëkëmbur ekonominë e vendit.

Shqipërisë nuk i duhen ligje, që nuk zbatohen kurrë për miqtë, familjarët dhe klientët e kryeministrit. Shqipërisë i duhet një qeveri dhe një kryeministër që nuk është ortak i krimit të organizuar.

Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që mund ta sigurojë këtë. Ne treguar se kemi vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, dy armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve.

Top Channel