Ministria e Financave ka miratuar udhëzimin i cili i hap rrugë kështu procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Drejtori i agjencisë së Kadastrës, Artan Lame tha se aplikimet do të bëhen edhe online.

“Procesi i rivlerësimit kësaj radhe do të ketë këto dy risi: 1. Do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetaret.

2.Do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces regjistrimi në Kadastër. Kjo risi e dytë, është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluiznit dhe ish-ZRPP-së”.

Me këtë proces qytetarët do të kenë mundësi që të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme për efekt të pagimit të taksave gjatë shitjes së pronës.

“Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim fitimit në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit”.

Ky proces ka interes për qytetarët nëse prona shitet në një periudhë afat shkurtër. Kosto e rivlerësimit të një banesë llogaritet në rreth 900 euro, ndërkohë që procesi do të jetë I hapur deri në shtator të 2020. Përfitues pritet të jenë rreth 50 mijë subjekte.

Top Channel