Nga Anna Ahmatova
Përkthyer nga Aurel Plasari

Paraardhësi im P. E. Shçjogoljev e përfundon punimin e tij për duelin dhe vdekjen e Pushkinit me një varg vrojtimesh se përse shoqëria e lartë, përfaqësuesit e saj, e urryen poetin dhe e refuzuan atë si trup të huaj nga mjedisi i tyre. Sot ka ardhur koha për ta përmbysur problemin dhe për të thënë me zë të lartë jo çfarë i bënë ata atij, por çfarë u bëri ai atyre.

Mbas atij oqeani balte, tradhtie, gënjeshtrash, moskokëçarjeje të miqve dhe budallallëku të pastër nga ana e Poljetikave dhe jo-Poljetikave, e kushërinjve Stroganov, e gardistëve idiotë të kalorisë që e bënë historinë e D’Anthèsit une affaire de régiment, e salloneve hipokrite të zonjës Neselrod etj., e oborrit suprem që përgjonte nëpër gjithë vrimat e çelësit, e të madhërishmëve këshilltarë sekretë, – anëtarë të Këshillit të Shtetit që nuk patën turp ta vinin poetin gjenial nën mbikëqyrjen e policisë, – mbas gjithë kësaj: se ç’mrekullim e ngadhënjim ta shohësh atë Pjetërburg të rremë e të pashpirt (“derrëror” e quajti poeti), madje edhe injorant, tek shtrëngohej të vështronte mijëra e mijëra njerëz që, me të marrë vesh lajmin e kobshëm, u dyndën në shtëpinë e tij dhe së toku me gjithë Rusinë mbetën aty. “Il faut que j’arrange ma mason”, – tha Pushkini ndërsa vdiste.

Dy ditë më vonë shtëpia e tij u bë vend i shenjtë për atdheun e tij dhe fitore më të plotë e më të shkëlqyer bota nuk pa. E gjithë epoka, vetëkuptohet jo pa kërcitje, pak nga pak filloi të quhej “epokë pushkiniane”.

Të gjitha bukuroshet, zonjat e nderit, padronet e salloneve, damat kalorësiake, anëtarët e oborrit perandorak, ministrat, komandantët dhe jokomandantët, filluan ca nga ca të quheshin “bashkëkohës të Pushkinit”, ndërsa mandej thjesht u dergjën kartotekave dhe treguesve të botimeve të Pushkinit me datat e lindjes e të vdekjes të shtrembëruara. Ai ngadhënjeu edhe kohën, edhe hapësirën. Thonë: epoka e Pushkinit, Pjetërburgu i Pushkinit. Dhe kjo nuk ka të bëjë më drejtpërsëdrejti me letërsinë, kjo është diçka tjetër. Në sallat e pallateve, ku vallëzonin dhe përhapnin thashetheme për poetin, janë varur portretet e tij dhe ruhen librat e tij, ndërsa hijet e tyre mjerane janë dëbuar së andejmi përgjithnjë. Për pallatet dhe vilat e tyre madhështore thonë: këtu ka qenë Pushkini, këtu nuk ka qenë Pushkini. Gjithçka tjetër nuk i intereson askujt. Zotëria e tij perandori Nikollaj Pavlloviç, në geta të bardha, shpalos hiret e veta në murin e muzeut të Pushkinit. Dorëshkrime, ditarë, letra zënë e vlerësohen nëse shfaqet aty fjala magjike “Pushkin” dhe, ç’është më e tmerrshmja për ta, mund të dëgjonin prej poetit:

Për mua s’do të jepni llogaritë,

Fuqia paska qenë e drejta juaj.

Flini të qetë, vetëm se një ditë

Do ju mallkojnë për mua bijtë tuaj.

 

Dhe më kot pandehin njerëzit se dhjetëra monumente të bëra me dorë do të mund të konkurronin atë monument të pabërë me dorë, aere perennius: më jetëgjatë se bronzi.

Komarovo,

26 maj 1961

Top Channel