Pretendimi Iranian/ Në avionin e rrëzuar, edhe drejtuesi i CIA-s

29/01/2020 02:08

Një agjenci iraniane lajmesh pretendon se një drejtues në radhët e CIA-s, i cili orkestroi ekzekutimin e gjeneralit Qassem Suleimani, është në mesin e personave që humbën jetën një ditë më parë nga rrëzimi i avionit në Afganistan. Raporti i dyshimtë i saj vjen në kohën kur Pentagoni e mohoi që avioni i tij E-11A të jetë qëlluar nga Talibanët, por deklaroi se ai ka rënë vërtet në zonën Dih Yak.

SHBA nuk dha detaje për viktimat, megjithate mediat iraniane dhe faqet e lajmeve të lidhura me Kremlinin shkruajnë se në mesin e të vdekurve ishte dhe Michael D’Andrea, shef i CIA-s që besohet se gjurmoi Osama bin Ladenin e që njihet dhe me nofkat “’Princi i Errët” e “Ajatollahu Mike”.

Agjencia iraniane e propagandës, Mehr Neës, raportoi se D’Andrea, i cili ka luajtur rol kryesor në zbulimine të shumë akteve terroriste, e madje edhe në organizimin e vrasjes së komandantit të Forcave Quds, ndodhej në avionin e rrëzuar.

Kjo agjenci i referohej faqes pro-Kremlinit, Veterans Today, e cila citonte burime të inteligjencës ruse të pohonin se D’Andrea ështe vrarë dhe se informacione të rëndësishme të inteligjencës, kanë rënë në duart e atyre që gjetën avionin. Sipas kësaj faqeje madje, avioni i rrëzuar nuk ishte një mjet standard komunikimi i Shteteve të Bashkuara, por qendra e komandës së lëvizshme të D’Andreas.

Agjencia iraniane Tasnim e cilëson – ‘D’Andrean si figurën më të shquar të CIA-s amerikane në Lindjen e Mesme.’

Top Channel