Pranimi i muxhahedinëve e vuri Shqipërinë në një pozicion delikat me ambasadën Iraniane në Shqipëri. Kjo u bë shkak që për disa vjet tashmë marrëdhëniet Shqipëri-Iran të jenë të tensionuara. Tension që arriti kulmin kur Kryeministri Rama dëboi nga Shqipëria ambasadorin Iranian në vitin 2018.

Situata u rëndua më tej kur më 3 Janar të këtij viti forcat Amerikane vranë në Irak gjeneralin Kasem Sulejmani. Ai ishte gjenerali i forcave Kuds. Elita e forcave të armatosura të Iranit. Ajatollahut Khamenei kërcënoi me hakmarrje shtetet e bashkuara. Por kërcënoi për herë të parë hapur edhe Shqipërinë…

Qeveria shqiptare pati një kundërpërgjigje të menjëhershme. Ajo dëboi nga vendi dy diplomatë Iranianë. Ata u akuzuan për veprimtari jo në përputhje me misionin e tyre, por qeveria nuk e tha asnjëherë qartë se cilat ishin këto veprimtari. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare i kanë analizuar gjatë në media këto deklarata. Por ne donim të dinim mendimin e liderit të muxhahedinëve në Shqipëri.

“Dy diplomatë që u dëbuan janë terroristë. Masat e marra nga qeveria shqiptare ishin shumë të guximshme. Dhe e vendosi Shqipërinë në ballë të luftës kundër terrorizmit të drejtuar nga Irani”, tregon Mehdi Baraei, përfaqësues i MEK-ut për Shqipërinë

“Qeveritë mund të bëjnë shumë gjëra gabim e të drejta, nuk jam e sigurt për atë. Por ajo që po bëjnë kundër regjimit të Iranit, duke dëbuar ambasadorin e Iranit… them se është veprimi më trim që ka bërë një vend”, – tregon Damona Tavoni, anëtare e OMPI-së
Mbase vërtetë kjo që ka bërë Shqipëria është një akt trimërie. Por nga ana tjetër trimëria kërkon që të jesh edhe i përgatitur për pasojat. Opinoni publik është i shqetësuar për sulmet që mund ti vijnë Shqipërisë nga Irani.

“Rreziku që ne na kanoset lidhet me përpjekjet e Iranit për të vendosur bomba. E dyta lidhet me sulmet kibernetike potenciale që ne jemi të ekspozuar dhe e treta me lajmet fake njus në mediat online dhe jo online”, tregon Endri Hide, Ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

“E theksoj që Shqipëria nuk është në mënyrë të posacme e ekspozuar për momentin ndaj kërcënimeve të tilla. Padyshim që duhet kujdes dhe në në fakt jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët. Natyrisht që aleati ynë strategjik SHBA na siguron informacionet e duhura dhe padyshim jemi edhe të mbrojtur në lidhje me këtë”, tregon Elona Gjebrea, ish – Zv. Ministre e Brendshme.

Top Channel