POGRADEC- Një efektiv i policisë rrugore është plagosur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Pogradec-Lin. Burime për Top Channel bëjnë me dije se polici fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur ne segmentin Pogradec-Lin në afërsi të Tunelit Panoramik ku janë përfshirë  dy automjete. Një furgon i transportit te mallrave është përplasur nga një mjet tjetër.

Sipas të dhënave paraprake furgoni i mallrave ishte ndaluar nga një punonjës policie për një kontroll pasi patrulla kishte sinjalizime se në brendësi të një furgoni mallrash që po lëvizte në drejtim të Tiranës, dyshohet se ndodheshin disa shtetas nga lindja e Mesme. Në momentin kur një prej policeve po ushtronte kontrollin e dokumenteve polici tjetër i identifikuar si Ardian Isallari ka hapur dyert për të kontrolluar furgonin.

Në këtë moment janë përplasur nga një mjet tjetër që lëvizte nga Pogradeci në drejtim të Tiranës duke shkaktuar edhe plagosjen e efektivit të policisë rrugore.

Pogradec/Informacion paraprak

Më datë 28.01.2020, ora 19:30, në dalje të “Tunelit Panoramik”, ka ndodhur një aksident ku mjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin I.R., rreth 60 vjeç, banues në Pogradec, ka përplasur një mjet tip furgon, i cili ishte ndaluar për kontroll nga shërbimet e Policisë Rrugore.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit tip “Ford” shtetasi I. R., pasagjeri i këtij mjeti shtetasi L. R., 55 vjeç, banues në Pogradec, si edhe punonjësi i Policisë Rrugore A. I., të cilët ndodhen në Spitalin e Pogradecit, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel